Drake ka pësuar një disfatë të madhe ligjore në përpjekjen e tij për të paditur Universal Music Group (UMG) lidhur me këngën “Not Like Us” të Kendrick Lamar, e cila u bë një nga diss-et më të bujshme të vitit.
Gjyqtarja federale Jeannette A. Vargas rrëzoi padinë e reperit kanadez, duke argumentuar se tekstet e këngës së Lamar nuk përbëjnë deklarata faktike, por janë një formë shprehjeje artistike dhe hiperbolike, tipike për zhanrin e “diss track”-eve.
Në padi, Drake pretendonte se Lamar e kishte përshkruar në mënyrë shpifëse si “pedofil”, por gjyqtarja theksoi se vargjet në fjalë janë pjesë e një performance artistike dhe nuk mund të interpretohen si pretendime reale.
Në vendimin e saj, gjyqtarja përmendi edhe këngën e mëparshme të Drake, “Taylor Made Freestyle”, ku ai kishte përdorur zëra të gjeneruar nga inteligjenca artificiale për të bërë aluzione ndaj “vajzave të reja”.
Ky fakt, sipas gjykatës, tregoi se të dy artistët kanë përdorur elementë figurativë dhe dramatikë për efekte artistike, dhe jo si akuza të mirëfillta.
Padia e reperit përfshinte gjithashtu pretendime për manipulim të popullaritetit të këngës dhe incidente të dhunshme në pronën e tij, por gjykata i hodhi poshtë për mungesë provash.
Megjithëse ky vendim përbën një humbje të dukshme për reperin, Drake nuk ka ndërmend të ndalet. Ai ka konfirmuar se po përgatit albumin e tij të ri “Iceman”, i cili pritet të dalë në fund të vitit dhe të shënojë një kthesë të re në stilin e tij muzikor.