Celebrities Music Showbiz

Këngë që të rrënqeth mishin, Alban Chela dhe Tiri Gjoci flasin për projektin e tyre “Killing Me”!

Alban Chela dhe Tiri Gjoci kanë bashkuar forcat dhe kanë sjellë së fundmi projektin e tyre më të ri që mban titullin “Killing Me”. Kjo këngë arriti menjëherë të rrëmbejë zemrat e publikut dhe të depërtojë thellë brenda nesh. Dyshja kanë qenë mëngjesin e sotëm të ftuar në studion e “Wake Up” për të folur më shumë për këtë projekt dhe jo vetëm.

Si lindi “Killing Me”?

Albani: Kemi 4 vjet që punojmë me këtë projekt. Ka nisur si demo para 4 vitesh dhe vokalet janë hedhur para shumë kohësh. Isha unë që e zgjasja sepse doja të dilte diçka që unë ta ndjeja akoma dhe më shumë.

Tiri: Albani e bënte një projekt dhe pastaj thoshte: “Jo, nuk më pëlqen, dua ta bëj nga e para”.

Si ndiheni tani që kjo këngë doli? Ja çfarë thotë Tiri:

Unë them shyqyr që doli. Kjo është një këngë që e dua shumë, prandaj jemi marrë 4 vite me të. Ka dhe material të tjera që kanë 4 vite që i kam, por nuk jam bërë mbarë. E dua shumë, linja vokale, instrumentacioni, çdo gjë është perfekte. Më emocionon, është nga ato këngë që të rrënqeth mishin.

Pse vendosën që këngën “Killing Me” ta sjellin në anglisht? Albani përgjigjet:

Unë gjithmonë kam synuar dhe vazhdoj të synoj tregun ndërkombëtar. Mendoj që është më mirë të vazhdojmë në anglisht sepse është një rrymë tjetër, një stil tjetër, që nuk përshtatet shumë me tregun tonë.

“Killing Me” flet për vetminë, është diçka që e keni përjetuar vetë?

Tiri: Duke qenë se është anglisht, ka pasur dhe persona të tjerë që më kanë ndihmuar me teksin. Por po, kënga është një reflektim, që mendoj se gjithsecili nga ne një herë në jetë e bën. Përqëndrohet më shumë tek gjërat që nuk ke mundur t’i bësh dhe të buçasin në kokë në një moment të caktuar të jetës që të thonë ‘pse nuk e bëra’. Edhe titulli është për këto tentativa që nuk i bëre kurrë.

Sa të kënaqur jeni me klipin?

Alban: Realisht jam shumë i kënaqur, është fiks ashtu siç e doja. Ndihem shumë mirë kur e shoh videon. Atë transmeton edhe kënga, pak vuajtje. Besoj se videoja përshtatet fiks me këngën dhe nuk do të doja asgjë tjetër më shumë.

Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.