Bota

Këshilli i BE-së miraton pezullimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave me Rusinë, rritet kostoja e vizës!

Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot, më 9 shtator, një vendim që pezullon plotësisht marrëveshjen për lehtësimin e vizave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

Si rezultat, rregullat e përgjithshme të kodit të vizave tani do të zbatohen për të gjithë qytetarët e Rusisë.

Në përputhje me vendimin e sapomiratuar, i cili do të zbatohet nga 12 shtatori 2022, tarifa e aplikimit për vizë për qytetarët rusë do të rritet nga 35 në 80 euro.

Për më tepër, vendimi do të rezultojë në nevojën për të paraqitur dëshmi shtesë dokumentare kur rusët aplikojnë për vizë në vendet e BE-së.

Përveç sa më sipër, qytetarët e Rusisë do të përballen gjithashtu me rritje të kohës së përpunimit të vizave dhe rregulla më kufizuese për lëshimin e vizave në disa shtete.

Miratimi i këtij vendimi nga Këshilli vjen pas propozimit të Komisionit të BE-së. Komisioni i BE-së propozoi në fillim të kësaj jave pezullimin e plotë të Marrëveshjes për ‘Lehtësimin e Vizave me Rusinë’, si pjesë e sanksioneve të vendosura ndaj kësaj të fundit për shkak të pushtimit ushtarak të Ukrainës.

Ndërkaq Bullgaria vuri në dukje se vendi nuk pajtohet plotësisht me vendimin e BE-së për të pezulluar vetëm marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Rusinë, por tha se do ta respektojë atë.