Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Killua zbulon gjithçka rreth projektit më të ri, “Qytetin”!

I ftuar në “Live From Tirana” ishte këngëtari Aris Demaj, apo siç të gjithë e njohim me emrin e tij të artit Killua. Një artist padyshim i veçantë dhe me një stil unik që e tregon në çdo projekt të tijin. Vetëm pak ditë më parë ai ka publikuar këngën e tij më të re të titulluar “Qytetin”, për të cilën na ka folur më shumë vetë…

Si kanë reaguar njerëzit kur kanë dëgjuar projektin tënd të ri?

Çuditërisht njerëzit kanë reaguar më mirë se me “Bagëti e Bujqësi”, nuk e prisnim. “Bagëti e Bujqësi” ka qenë më ‘fashion’, më eksperimentale dhe më ‘cluby’. Ndërsa “Qyteti” është një këngë pak më ‘underground’, por çuditërisht në bazë të klikimeve dhe feedback-ut që kam marrë në rrjete sociale, po ecën goxha më mirë. 

Por pse titullohet “Qytetin”, cila është fabula e këtij projekti?

Që në momentin që lindim ne kushtëzohemi nga të gjitha gjërat që na rrethojnë, nga rruga e prishur, nga dialekti, nga mënyra se si na flasin prindërit, si na flasin në shkollë, si na flasin mësuesit, ndërtesat, nëse është qyteti gri, ka apo nuk ka diell… Unë jam i kushtëzuar nga qyteti dhe unë po këndoj kushtëzimin e tij duke dashur ta ndryshoj. Pra, kur dua të ndryshoj qytetin, unë automatikisht dua të ndryshoj veten time. Sepse këto janë simbiozë e njëra-tjetrës. Dhe siç ka thënë dhe Tupac: Ndryshimi vjen fillimisht nga individi brenda vetes. 

Kjo këngë duket dhe si një revoltë shumë e madhe. Nga vjen gjithë kjo?

Unë mendoj se çdo shqiptar është i revoltuar. Pastaj ka mekanizma kopjimi që i përshaten atyre të ndryshme, disa ikin siç ndodh me një pjesë të madhe të rinisë, disa vendosin të merren me aktivitete të jashtligjshme, disa vazhdojnë me muzikë dhe disa bëjnë revoltën e tyre përmes pikturës. Unë mendoj se ky vend ka nevojë për revoltë, na mungon revolta. Na mungon që ne të kërkojmë atë që na duket e drejtë dhe të bëhemi bashkë t’i kushtojmë më rëndësi qytetit, gjërave që na rrethojnë. Është krijuar si baladë për të mos qenë shumë e ashpër. Edhe njerëzit që duan të kalojnë një kohë të këndshme mund ta dëgjojnë dhe aty fshehur diku kanë dhe revoltën brenda saj.

Çfarë i pëlqen Killua-s nga qyteti?

Njerëzit. Njerëzit i dua shumë dhe albumi “Rrno për me tregue” i Sir A, shumë nga këngët e Killua-s janë për njerëzit. I dua sidomos njerëzit që kanë pasione, që bëjnë diçka.