Rajoni

KQZ ‘shpërfill’ tensionet, certifikon listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës!

Pavarësisht shqetësimit të ndërkombëtarëe, KQZ ka ‘shpërfillur’ tensionet në veri të Kosovës dhe ka marrë sot vendim për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Veri.

Lajmin është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se lista votuese përmban 44 mijë e 939 emra të votuesve, 1 mijë e 189 më shumë se në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka bërë me dije ditën e sotme se vendimi në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve në komunat veriore të vendit, do të merret gjatë dy ose tre ditëve në vijim.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një takim me disa nga institucionet e sigurisë.

“Kam kërkuar raport në baza ditore. Sot kam takim me disa institucione të sigurisë, të cilat përafërsisht çdo orë më njoftojnë rreth zhvillimeve në veri. Tani janë duke më pritur në zyrë dhe është një ndër takimet e shumta qe do ta kem lidhur me situatën”.

Ajo ka shpjeguar edhe mënyrën sesi mund të vijë deri te shtyrja e zgjedhjeve, duke përmendur opinionin e Komisionit të Venecias.

“Këto janë vlerësime që bëhen nga institucionet e sigurisë dhe në momentin që do ta marrë raportin e plotë do ta kemi një pasqyrë më të qartë rreth çështjes së zgjedhjeve në veri”.

“Si rregull ekzistojnë kritere të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve. Në këtë rast duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë, të trajtohet në KQZ e më pastaj propozimi i KQZ-së vije në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias i kërkon Presidencës patjetër të konsultojë partitë politike. Besoj që në dy tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet”, ka thënë Osmani, duke shtuar se patjetër duhet të ketë koordinim ndërmjet partive politike.