Aktualitet Sociale

Kredi studentore për të parën herë, ministrja Kushi: Mbështetje për tarifat e studimit!

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së sotme të qeverisë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi komunikoi lajmin e mirë lidhur me miratimin e skemës së kredisë studentore që i mundëson studentit mbulimin e tarifave të studimit dhe kostove të jetesës gjatë studimeve të larta.

Sipas ministres, “Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) negocion me bankat e nivelit të dytë që kredia studentore të jepet pa kolateral fizik”.

Po ashtu, ministrja Kushi vuri në dukje se “kredia studentore jepet për mbulimin e kostove vetëm për ndjekjen e një programi studimi”.

Financimi i kredisë bëhet me këste, të paktën dy herë në vit, pas konfirmimit nga IAL që studenti ka shlyer tarifën e vitit dhe ka frekuentuar procesin mësimor. Shlyerja e kredisë nis jo më herët se tre vite pas nënshkrimit të kontratës së kredisë për studimet e ciklit të parë, jo më herët se dy vite pas nënshkrimit të kontratës së kredisë për programe studimi cikli i dytë dhe e treta, jo më herët se pesë vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të integruar të ciklit të dytë.

Ndër të tjera, shefja e dikasterit të Arsimit, theksoi se norma e interesit të kredisë do të jetë e pandryshueshme, gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë.

Sipas Kushit, “studentët që përfitojnë kredi studentore, nuk duhet të jenë përfitues nga politikat e mëparshme, si bursë apo përjashtim nga tarifat, me qëllim që të zgjerohet sa më shumë numri i përfituesve”.

Por, si do të përzgjidhen studentët përfitues?

Studentët përfitues do të përzgjidhen bazuar në disa prioritete, si: vlera e kredisë, ndjekja e studimeve në programet prioritare, rezultatet e mëparshme gjatë studimeve, etj.

Ministrja Kushi bëri të ditur edhe se efektet e këtij vendimi nisin menjëherë, gjatë vitit akademik 2023-2024.