Kryeministri Edi Rama sot nis turin ballkanik 2-ditor, me ndalesa në Shkup, Prishtinë, Podgoricë, Beograd e Sarajevë. Në Kosovë iu refuzua takimi nga kryeministri Albin Kurti, por raportohet se do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Takimi me Osmanin është përcaktuar për në orën 16:00.
Dje, Albin Kurti tha se është i gatshëm të takohet vetëm në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.
Në mënyrë që marrëveshjet e dakordësuara të mos mbeten në sirtar, i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë, të mbajmë dhe një mbledhje të përbashkët. Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm e në Ballkan nuk ka liderë si kryeministri i Kosovës që e ka mbështetur e vazhdon ta mbështesë.
Për Albin Kurtin, nuk “lëngon” raporti Kosovë-Shqipëri për faktin që nuk takohen kryeministri i Kosovës dhe ai Shqipërisë, por sipas tij, “për shkak se mbledhjet e dy qeverive janë anuluar pa arsye”. Shefi i qeverisë së Prishtinës theksoi gatishmërinë që të takohet me kryeministrin Rama, vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive.
Turi dy ditor i kryeministrit Rama i paraprin samitit për Procesin e Berlinit në Tiranë, në tetor. Pak ditë më parë, shefi i qeverisë tha se nisma e Ballkanit të Hapur lindi nga nevoja për të shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe vuri në dukje se e ka kryer misionin.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me nismën e kancelares gjermane të kohës, Angela Merkel, me qëllim lidhjen dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Procesi i Berlinit shërben si platformë për bashkëpunimin mes përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e përbërë nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut e Serbia. Procesi përfshin dhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare e shoqërinë civile në rajon.