Rajoni

Kurti: Kosova nuk e pranon Asociacionin si kusht për anëtarësim në KiE!

Kryeministri Albin Kurti riktheksoi se qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës (KiE). Duke folur në mbledhjen e qeverisë në Prishtinë, Kurti vuri në dukje se javët e fundit, Kosova po përballet me “një kusht të ri, i cili nuk ka aspak të bëjë me anëtarësimin” në Këshillin e Europës.

Kosova aplikoi në vitin 2022 për t’iu bashkuar Këshillit të Europës dhe muajin e kaluar, Asambleja Parlamentare e Këshillit rekomandoi që Kosova të pranohet në këtë organizatë. KiE, lidere në Europë për të drejtat e njeriut mund të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.

Nga Beogradi ku më 20 prill takoi presidentin serb Aleksander Vuçiç, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Kosova ka premtuar se do të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Uashingtoni pret që ky zotim të realizohet. O’Brien rikujtoi se themelimi i Asociacionit është “i rëndësishëm për serbët në Kosovë, që të kuptojnë si do të duket jeta e tyre”.

Nëse ka shqetësim se komuniteti ndërkombëtar nuk po përmbush detyrimin për të ndihmuar në këtë çështje, unë shpresoj që ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorën tonë për të ndihmuar në përmbushjen e premtimit ndaj vetes e të tjerëve.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve e që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013-ën e më pas më 2015-ën për themelimin e Asociacionit. Por, më 2015-ën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën. Themelimi i Asociacionit është përfshirë edhe në Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve që palët arritën vitin e kaluar.

Vuçiç tha se shteti i tij dhe SHBA-të pajtohen për pak gjëra, por shtoi se “paqja dhe stabiliteti duhet të ruhen”.

Ne biem dakord se është shumë e rëndësishme që të ruhen paqja dhe stabiliteti. Nga ana serbe, premtoj që Serbia do të sillet në mënyrë të përgjegjshme e serioze. Serbia do të vazhdojë luftën që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Europës.