Celebrities Music

Le të ndalemi pak te David Guetta, i saposhpallur si DJ më i mirë në botë!

Së fundmi, sipas një sondazhi të bërë nga revista britanike, ‘DJ Mag’, David Guetta, është pozicionuar në vendin e parë si DJ më i mirë në botë. Plotësisht e merituar, nuk mendoni edhe ju kështu?!

Muzikanti i emocionuar ka shkruar në rrjetin e tij social Instagram këto fjalë:

Ndihem i bekuar. Kam punuar vërtet shumë këtë vit, e çuam @unitedathome në nivele të reja, më në fund u ribashkuam dhe kam lançuar më shumë muzikë se kurrë. Ka qenë e mahnitshme të luash muzikë të re drejtpërdrejt dhe energjia dhe reagimet nga turma janë ato që më mbajnë të vazhdoj pas gjithë këtyre viteve. Muzika është pasioni im. Dua të falënderoj ekipin tim dhe të gjithë artistët dhe producentët me të cilët kam punuar vitin e kaluar.

Rikujtojmë, se një nga gjërat më të çuditshme që i ka ndodhur David Guetta-s është takimi për drekë me divën e muzikës pop, Madonna-n. Në një intervistë Dj dhe producenti francez foli për kohën kur Madonna u interesua për punën e tij pak kohë pasi ky i fundit kishte fituar një “Grammy” për remiksin e këngës së saj “Revolver”.

Artisti u shpreh se ata lanë një takim për të folur rreth një bashkëpunimi të ardhshëm. Gjatë drekës Madonna i tha se dëshironte që Guetta të bëhej producent i albumit të saj të ardhshëm.

Mbërrita për drekë. Folëm për shumë gjëra, muzikën, çfarë donte të bënte me albumin. Super këndshëm. Isha thjesht unë dhe ajo. “Papritur, ndryshoi fytyrën dhe më tha, ‘Më vjen keq, nuk do të jemi në gjendje të punojmë bashkë. Ishte një kënaqësi që të njoha. Mirupafshim!

Ndërkaq, theksojmë se Martin Garrix ka zënë vendin e dytë në listën e 100 DJ-ve më të mirë në botë. Sipas një sondazhi të bërë nga revista britanike, ‘DJ Mag’, Martin është i pozicionuar në vendin e dytë. Përmes rrjetit social, Instagram, Martin është shprehur i lumtur por ka bërë një kritikë për revistën pasi mbiemri i tij ishte shkruar gabim.