Rajoni

Liberalizimi i vizave për Kosovën, sot merr “OK” e ambasadorëve të BE-së!

Në kryeqendrën europiane, Bruksel sot pritet me interes takimi i ambasadorëve të BE-së që në fokus kanë miratimin e vendimit lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Lëvizja pa viza do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS e për këtë data është 1 nëntori 2023. Por, nëse ka vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi brenda 1 janarit të vitit 2024. Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.

Gjithashtu, Kosovës i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me të BE-së, ndërsa i mbetet të kalojë edhe në disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare. Vendimi i sotëm në rend dite, fillimisht duhej të votohej më 23 nëntor. Por, u hoq nga agjenda për shkak të tensioneve në Kosovë, nxitur nga një vendim i qeverisë Kurti, për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe. Teksti u hartua nga Çekia, vend që aktualisht ka presidencën e Unionit. Kjo pas disa takimeve të grupeve të punës e diskutimeve dypalëshe me vendet që patën vërejtje. Miratimi nuk vihet në diskutim.

Krahas dokumentit për liberalizimin e vizave për Kosovën, Çekia publikoi edhe një deklaratë, përmes së cilës, vendeve anëtare të BE-së u kërkohet të bëjnë çmos që sistemi ETIAS të jetë funksional në datën e caktuar, pra më 1 nëntor të vitit të ardhshëm. ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së t’i regjistrojnë para udhëtimit, të dhënat e tyre në këtë sistem.

Franca ishte shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, si i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare. Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë atyre të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Shengen, me 26 shtete evropiane.