Pjesa më e madhe e avionëve duken pak a shumë njësoj nga jashtë, të bardhë, me një shkrim më germa të mëdha dhe logo e kompanisë. Por kompania gjermane ‘Condor’ ka vendosur të futet te rastet e rralla kur avionët duan të bien në sy, për pamjen e tyre të jashtme.
Avionët duken si të ishin karamele për fëmijë, por ‘Condor’ thotë se është frymëzuar nga modelet e çadrave, peshqirëve dhe shezloneve të plazhit. ‘Condor’ ishte në pronësi të kompanisë së udhëtimeve turistike angleze ‘Thomas Cook’, e cila falimentoi në vitin 2019. Tani, kompania po kërkon të rikthehet në skenë, me një ndryshim drastik për të tërhequr vëmendjen.
Shiritat me ngjyra, të krijuar nga kompania berlineze “Vision Alphabet”, synojnë të rikrijojnë nostalgjinë për pushimet e kaluara dhe të ndezin emocionet për pushimet e të ardhmes. Avionët do të vijnë në pesë ngjyra, blu si deti, të verdhë si rrezet e diellit, të kuq si “pasioni”, të gjelbër si “ishujt” dhe ngjyrë floriri, si rëra e plazheve tropikale. Avioni i parë me shirita, me ngjyrë të verdhë, realizoi fluturimin debutues më 5 prill, nga Frankfurti për në Lanzarote, në ishujt Kanarie.
Ndërkaq, së fundmi një avion gjigant Airbus A380 ka kryer me sukses një fluturim test ku në vend të kerosenit, njëri prej motorëve furnizohej me vaj gatimi. Avioni kreu fluturimin testues nga aeroporti i Blagnac në Tuluzë, ku është edhe selia qendrore e kompanisë.
‘CNN’ raporton se gjithçka shkoi sipas planit dhe motori Rolls-Royce Trent 900 operonte në mënyrë optimale me vajin e gatimit të përpunuar për këtë qëllim sipas zyrtarëve të kompanisë. Disa ditë më parë, kompania kreu një tjetër fluturim testues me të njëjtin avion duke shkuar nga Tuluza në Nicë, kësaj radhe për të parë se si do të reagonte avioni gjatë ngritjes dhe uljes.