Bota

Macron nënshkruan ligjin për reformën e pensioneve, pavarësisht protestave!

Shpërfillës ndaj protestave, presidenti francez, Emmanuel Macron sot firmosi ligjin për reformën e pensioneve që rrit nga 62 në 64-vjeç moshën e daljes në pension në Francë. Në këtë mënyrë, shefi i Elizesë zgjedh të sfidojë tre muaj protesta, si dhe zotimet e sindikatave se nuk do ta zbatojnë vendimin e ri. Ligji hyri në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare të Francës.

Ky publikim u bë disa orë pasi Këshilli Kushtetues vendosi t’i japë dritën jeshile ligjit. Sindikatat kanë paralajmëruar se do të thërrasin protesta më 1 Maj, kur shënohet Dita e Punëtorëve.

Beteja për të nënshkruar këtë ligj është kthyer në sfidën më të madhe për Macronin, përgjatë mandatit të tij të dytë si president. Madje, një çështje e tillë i ka kushtuar rënien e popullaritetit.

Sondazhet kanë treguar se dy në tre franceze janë kundër vazhdimit të punës për dy vjet më shumë. Por, Macron nuk tërhiqet dhe ndryshimet i konsideron “të domosdoshme”, për të shmangur defiçitin në buxhetin e pensioneve, i cili sipas parashikimeve mund të arrijë në 13.5 miliardë euro deri në vitin 2030.

Prej disa muajsh Franca është tronditur nga protestat për reformën e kundërshtuar të pensioneve, manifestime që kanë çuar në përleshje, dhunë të herëpas’hershme, zjarrvënie, vonesa në pastrimin e mbeturinave e madje edhe në anulimin e një vizite të mbretit të Anglisë, Charles III për arsye sigurie.

Protesta pati edhe një ditë më parë. Në rajonin verior Ardene, anëtarët e sindikatave bllokuan autostradën për në Belgjikë, siç raportoi televizioni France 3. Autoveturat u lejuan të kalonin, ndërsa kamionët u ndaluan. Fotot treguan grumbuj të gomave të makinave, të djegura në rrugë.

Bllokime pati edhe në qytetin lindor të Strasburgut, ku sipas raportimeve të mediave u bllokua një kamion-frigorifer i një kompanie ushqimore. Në Rouen, në veriperëndim të Parisit, rruga kryesore e hyrjes për në qytet u bllokua.

Në qytetin jugor Toulouse, sindikata CGT shkaktoi një ndërprerje të energjisë elektrike në zonën ku ndodhet qendra kombëtare e kërkimit.