Auto & Moto

Makinat Tesla që prodhohen në Evropë po rezultojnë më të mira sesa ato në Amerikë!

Së fundmi, Tesla njoftoi se po tërheq dy milionë makina nga tregu amerikan, por autoritetet në Evropë thonë se kjo nuk do të ndikojë në Kontinentin e Vjetër. Tesla deklaroi se kjo ishte një lëvizje e nevojshme për të përditësuar softuerin në funksionin autopilot. Agjencia rregullatore përkatëse tha se funksioni në tregun e Amerikës së Veriut nuk kishte masa të mjaftueshme sigurie për ta mbajtur shoferin “autonom” gjatë drejtimit të automjetit.

Për shkak të kësaj, mënyra e drejtimit mund të trajtohej si autonome nga drejtuesit e pakujdesshëm dhe kjo, nga ana tjetër shkakton aksidente. Përditësimet që do të shpërndahen për automjetet në SHBA, do të përfshijnë kryesisht paralajmërime zanore më të forta për të korrigjuar defektin.

Megjithatë, agjencia RDW, e cila është përgjegjëse për licensimin e Tesla-s për Evropën, thotë se tërheqja e automobilave nga SHBA nuk do të ndikojë në tregun evropian, sepse funksionet e tyre autopilot funksionojnë në një mënyrë tjetër. Sipas RDW, të dyja teknologjitë klasifikohen si asistenca e shoferit të Nivelit 2, por ka një ndryshim në atë që “lejohen” të bëjnë.

Rikujtojmë, se Tesla ka prezantuar së fundmi përditësimin e robotit të saj humanoid, Optimus Gen 2. Ky version i robotit prototip tani përmban të gjithë aktivizuesit dhe sensorët e projektuar nga Tesla. Sipas Tesla-s, roboti tani është në gjendje të ecë 30% më shpejt, por bazuar në videon prezantuese “Optimus Gen 2” nuk pritet ende të thyejë rekorde shpejtësie. Kompania shprehet se roboti peshon 10 kilogramë më pak duke përmirësuar kështu edhe ekuilibrin. Një nga pjesët më të vështira për ta bërë një robot të dobishëm humanoid janë duart. Duart duhet të jenë mjaftueshëm të forta për të mbajtur pesha të konsiderueshme, por edhe precize për të trajtuar objekte delikate.