Bota Botë e Çuditshme

‘Marrin kot delet’, hyjnë në serën ku kultivohej kanabis dhe hanë 100 kilogramë bimë!

Një bari në Greqi u surprizua nga sjellja e deleve të tij, pak momente pasi i nxori për të kullotur. Në fund është konstatuar se tufa e deleve ishte futur në një serë ku ishte kultivuar kanabisi për qëllime medicinale dhe që kishin ngrënë rreth 100 kilogramë të kësaj bime, sipas mediave greke. Ngjarja ka ndodhur në rajonin e Thesalisë.

Siç raportohet menjëherë pas përmbytjeve shkatërruese që goditën zonën më të gjerë të Thesalisë, gjatë të cilave u dëmtuan edhe kullotat, një tufë delesh ka hyrë në një serë ku rritet kanabisi për qëllime farmaceutike dhe ka ngrënë gati 100 kilogramë nga kjo bimë. Pronari i serës nuk ka mundur t’i besojë syve, kur pa se kanabisi i tij ka pësuar dëme të mëdha nga moti i keq por edhe nga delet që kishin ngrënë pjesën tjetër të mbetur. Pronari i serës që ka licencë për kultivimin e kanabisit, u shpreh për mediat greke:

Nuk e di nëse duhet të qesh apo të qaj. Kemi pasur valë të mëdha të të nxehtit dhe kemi humbur gjysmën e bimëve që i mbollëm. Më pas kemi pasur përmbytje që shkatërroi pjesën tjetër dhe tani tufa e deleve që u fut në serë. Sinqerisht nuk e di çfarë të them.