Bota

Mbi 43 mijë e 500 viktima nga tërmeti në Turqi/564 të dyshuar për shkelje në ndërtim!

Në Turqi, numri i viktimave pas tërmeteve shkatërruese ka arritur në mbi 43 mijë e 500. Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, tha se prej 6 shkurtit pati 7 mijë e 930 pasgoditje. Më shumë se 600 mijë apartamente dhe 150 mijë ndërtesa tregtare pësuan dëme.

Teksa vendi po përshpejton përgatitjet për strehimin e të prekurve nga tërmeti, ministri i Brendshëm njoftoi edhe se Turqia do ta zgjerojë hetimin ndaj ndërtuesve që dyshohet se kanë shkelur rregullat e sigurisë.

Deri tani janë identifikuar 564 të dyshuar, 160 vetë u arrestuan dhe shumë të tjerë po hetohen. Qytetet tona do të ndërtohen në vendet e duhura, fëmijët tanë do të jetojnë në qytete më të forta. Ne e dimë se me çfarë lloj prove po përballemi dhe do të dalim më të fortë nga kjo.

Top Channel e Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” i janë bashkuar nismave solidarizuese për të ndihmuar Turqinë dhe Sirinë, pas tërmetit vdekjeprurës të 6 shkurtit e aktivitetit sizmik që pasoi.

Dhjetëra kuti me batanije dhe veshmbathje janë dërguar drejt dy vendeve. Një javë më parë, televizioni kombëtar Top Channel shpalli iniciativën e solidaritetit, duke iu bërë thirrje qytetarëve shqiptarë t’i shkojnë në ndihmë popullit turk dhe atij sirian, ndërsa me miliona njerëz janë prekur nga pasojat e lëkundjeve që kanë mbjellë shkatërrim, duke gjunjëzuar zonën mes Turqisë e Sirisë.

Kësaj thirrjeje i janë bashkuar më shumë se 1 mijë e 200 qytetarë shqiptarë, të cilët kanë kontribuar në vlera të ndryshme monetare, duke arritur shumën e 100 mijë dollarëve, para’ të konvertuara në ndihma.

Themeluesi dhe Drejtori Ekzekutiv i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari:

1 mijë e 220 njerëz iu bashkuan thirrjes që Fundjavë Ndryshe nisi dhe pasoi me bashkimin e Top Channel, i cili na dha mundësinë që fushata të merrte zë dhe sot jemi duke ngarkuar ato që janë vlerësuar më emergjente në koordinim me ambasadën. Janë afro 1 mijë e 800 krevatë portativë, qindra batanije, dyshekë, rroba, çadra, ato që janë vlerësuar si ndihmat më emergjente.

Kjo ishte në shenjë mirënjohjeje për kontributin e madh që shteti turk dha në vitin 2019. Ne nuk e kemi fuqinë për t’i suportuar me shtëpi, por deri tani janë disa trajlera që janë nisur drejt Turqisë dhe Sirisë. Kjo fushatë që nisi, pati një rëndësi të madhe nga mbështetja e Top Channel veçanërisht në Big Brother, ku u bë një thirrje e mbi 1 mijë e 200 njerëz iu bashkuan dhe sot janë përkthyer në të mira materiale.