Bota

Mbi 50 mijë viktima nga tërmetet në Turqi e Siri!

Ka kaluar shifrën 50 mijë numri i viktimave të tërmeteve në zonën mes Turqisë e Sirisë, ndërsa ai më shkatërrimtari ishte i orëve të para të mëngjesit të 6 shkurtit, me magnitudë 7.8 Rihter. Më tepër se 44 mijë e 200 vetë humbën jetën në shtetin turk e rreth 6 mijë, në territorin sirian që për nga kontrolli ndahet mes regjimit të presidentit Bashar al-Assad dhe rebelëve opozitarë.

Në rreth tre javë, në zonë janë regjistruar më tepër se 9 mijë pasgoditje, çka pritet të vazhdojnë. Sipas ekspertëve, energjia e grumbulluar është e madhe dhe kërkon kohë të çlirohet. Në të tilla raste, sizmologët përmendin fenomenin e njohur si “epidemi sizmike”. Vështirë të bëhen parashikime për kohën e përfundimit të saj, që në disa raste mund të kërkojë shumë vite.

Thuajse 530 mijë persona janë evakuuar në Turqi nga zonat e prekura nga tërmetet. Një ditë më parë, Ankaraja zyrtare bëri të ditur se ka nisur punën fillestare për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga katastrofa. Ndërkohë, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), vlerëson se 1.5 milion vetë kanë mbetur të pastrehë.

Mbi 160 mijë ndërtesa, me 520 mijë apartamente u shembën ose janë dëmtuar rëndë dhe nuk ka asnjë shans që të ribëhen të banueshme.  Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan është zotuar se do të rindërtojë të gjitha shtëpitë brenda një viti. Por, ekspertët vazhdimisht po paralajmërojnë që autoritetet t’i kushtojnë më shumë rëndësi sigurisë së ndërtesave se shpejtësisë së ndërtimit të tyre.

Turqia do ta zgjerojë hetimin ndaj ndërtuesve që dyshohet se kanë shkelur rregullat e sigurisë.

Deri tani janë identifikuar 564 të dyshuar, 160 vetë u arrestuan dhe shumë të tjerë po hetohen. Qytetet tona do të ndërtohen në vendet e duhura, fëmijët tanë do të jetojnë në qytete më të forta. Ne e dimë se me çfarë lloj prove po përballemi dhe do të dalim më të fortë nga kjo.