Rajoni

Me frikën e tensioneve nga bullgarët, Shkupi nis manifestimin për Goce Dellçevin!

Nën masa të rrepta sigurie, në Shkup nisën aktivitetet për shënimin e 151-vjetorit të lindjes të Goce Dellçevit, figurë historike për të cilën kanë pretendime si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Bullgaria. Dellçev udhëhoqi rezistencën maqedono-bullgare kundër Perandorisë Osmane në vitin 1900.

Rrugët që çojnë te varri i Dellçevit në Kishën e Shën Spasit, janë bllokuar nga forcat speciale dhe lejohen të kalojnë vetëm delegacionet shtetërore e mediat e akredituara. Ministri i Brendshëm maqedonas, Oliver Spasovski:

Nuk mund të ketë vizita spontane në pjesën zyrtare të manifestimit, pasi rreziku është në nivel maksimal. Asnjëherë më parë nuk ka patur tensione si tani. Pikërisht ky është qëllimi i strukturave radikale, të krijojnë tensione.

Policia maqedonase u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në rrugët ku zhvillohet aktiviteti, për të garantuar sigurinë e të gjitha delegacioneve pjesëmarrëse.

Një grup bullgarësh paralajmëroi praninë në këtë manifestim ndërsa eurodeputeti Angel Xhambaski, i njohur për retorikën e tij nacionaliste, kërcënoi presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, duke kujtuar atentatin ndaj ish-mbretit serb, Aleksandar Karagjorgjeviç.

Edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë njoftoi se ministri Ivan Demerxhiev e zëvendësi i tij Vençisllav Katinov, gjithashtu do të vendosin lule në varrin e Dellçevit në Shkup.

Autoritetet kanë bërë thirrje për kremtime në paqe e dinjitoze të këtij përvjetori. Tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u rritën nëntorin e kaluar kur në Manastir e Ohër, pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut hapën klube bullgare me emrat: “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”. Në periudhën e Perandorisë Osmane, ata sunduan Bullgarinë me synimin e “bashkimit të tokave maqedonase me Bullgarinë”.

Më 16 janar, pjesëtari i njërit prej klubeve u sulmua fizikisht, çka rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve, duke çuar në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkupi.

Prej vitit 2017, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por pa arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet historike. Shtetet fqinje kanë mosmarrëveshje për prejardhjen e shumë personaliteteve historike, përfshirë Goce Dellçevin e të tjera çështje që kanë të bëjnë me identitetin e gjuhën maqedonase, pasi bullgarët pretendojnë se kanë “rrënjë bullgare”.