Celebrities Live From Tirana Showbiz

“Më ka lodhur gjykimi, unë nuk ndjek rregullat…”/Fifi flet mbi rrugëtimin e saj në “Dancing With The Stars”!

E ftuar në studion e “Live From Tirana”, ka qenë këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur për publikun, Fifi. Ajo njëkohësisht është duke përjetuar dhe eksperiencën e saj në “Dancing With The Stars”, për të cilën na ka rrëfyer vetë më shumë, por duke u ndalur gjithashtu dhe tek marrëdhëniet me konkurrentët e tjerë si dhe me partnerin e saj, Adisin…

Çfarë mund të na thuash për rrugëtimin tënd deri më tani në “Dancing With The Stars”?

Po e shijoj shumë si eksperiencë, po kënaqem. Më kanë kapur ca muskuj që nuk e mendoja se do i përdorja ndonjëherë. (qesh). Jam e gëzuar që e kam marrë këtë iniciaticë, sepse po bëj një ‘lifestyle’ shumë të shëndetshëm. Kam bërë një progres.

Cila ka qenë performanca që të ka shijuar më shumë?

Paso doble pa dyshim, por dhe tango më ka pëlqyer shumë. Mbase sepse kam pasur këngën e Alban Skënderaj që kam pasur një lidhje personale me të. Uroj që të jap një emocion ashtu siç e kam menduar dhe e dua unë edhe këtë javë.

A ka pasur diçka që të ka lodhur këto kohë nga ky rrugëtim?

Më ka lodhur gjykimi. Edhe në shkollë e kam pasur këtë: “Je përgatitur shumë mirë, ulu 2”. Më duket e njëjta gjë dhe këtu. Iliri ka dhënë gjithë kohës 8-9, por po flas për pjesën tjetër të jurisë.

Mendon si anëtarët e jurisë që nuk po jep 100% tënd?

Jam shumë ‘free spirit’, nuk i përmbahem rregullave. Disiplina e kërcimit përveç se impenjative ka dhe shumë rregulla. Kjo mbase është arsyeja që nuk jap 100%. Unë edhe në muzikë i kam thyer rregullat. Kam bërë një rrymë të re të teksteve. Kur kam përdorur fjalën “psikopatja” në tekst, më thonin ‘çfarë po bën?’. Këtë kam dashur të bëj dhe në kërcim. Mua më është dhënë një koreografi dhe më duhej t’u vija mbrapa asaj. Në momentin që nuk më jepet një pjesë që më përshtatet, si mund të jap 100%? Kisha 8 javë që thoja pse të kërcej më mirë sepse prapë do marr 8 pikë. Kur erdhi paso doble thashë tani do e shijoj.

A ka patur një moment delikat që ke menduar dhe të tërhiqesh?

Nuk kam menduar kurrë që ta lë garën. Nuk jam një njeri që dorëzohem, kur e marr iniciativën gjithmonë e çoj deri në fund. Gjithmonë i kam çuar gjërat deri në fund pavarësisht sa jam vlerësuar. Por në javët e para, pata një problem me tendinat dhe më thanë që të bëja 3 javë pushim. Unë nuk pranova dhe kam kërcyer. Por nuk doja ta thoja këtë atëherë. Po e them tani që jam shëruar.