Bota Tech

Misioni për mbrojtjen planetare, anija kozmike e NASA-s gati për t’u përplasur me një asteroid!

Së fundmi thuhet se Agjencia Amerikane e Hapësirës do të përplasë një sondë me një asteroid, në orët e ardhshme, në përpjekje për të përmbyllur misionin e parë të plotë të mbrojtjes planetare. Ky mision quhet “Double Asteroid Redirection Test”, ose DART, i cili dëshiron të shohë se sa e vështirë do të ishte të ndalonte një shkëmb të madh hapësinor që të godiste Tokën.

Kjo do të zhvillohet rreth 11 milionë km larg në një objektiv të quajtur Dimorphos. Agjencia thotë se shkëmbi nuk është aktualisht në një rrugë për të goditur Tokën dhe as testi nuk do ta dërgojë atë aksidentalisht në drejtimin tonë. Teleskopët do të shikojnë nga larg, duke përfshirë observatorin e ri superhapësinor James Webb.

Deri më sot, NASA ka gjurmuar vetëm rreth 40% të objekteve afër Tokës. Asteroidë surprizë kanë vizituar Tokën në të kaluarën dhe padyshim që do ta bëjnë këtë në të ardhmen. Eksperimentet si misioni DART mund të ndihmojnë në përgatitjen e njerëzimit për një ngjarje të tillë.

Së fundmi, roveri Perseverance i NASA-s ka gjetur gurë në sipërfaqen e Marsit që përmbajnë molekula organike. Sipas ekspertëve të agjencisë amerikane të hapësirës, këta shkëmbinj me molekula organike mund të jenë një formë e mundshme e jetës, domethënë t’i atribuohen një substance ose strukture që mund të dëshmojë ekzistencën e një jete të kaluar në planetin e kuq, por ato mund të ishin prodhuar edhe pa pasur jetë.

Rikujtojmë gjithashtu se NASA ka publikuar një fotografi mahnitëse të shkrepur në qiellin e Jupiterit. Fotoja u shkrep nga JunoCam, kamera me dritë të dukshme që ndodhet në bordin e sondës Juno, dhe që tregon retë në qiell. Zhvilluesi i softuerit, Gerald Eichstädt, ka krijuar paraqitje mahnitëse 3D të reve.