Rajoni

Shpërthen një granatë dore brenda Postës së Kosovës në Zveçan!

Një granatë dore shpërtheu brenda Postës së Kosovës në Zveçan dhe një tjetër u shpërthye në mënyrë të kontrolluar. Zv.drejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se nuk ka persona të lënduar, por dëme materiale.

Dega e Postës së Kosovës në Zveçan u hap më 27 mars, në të njëjtën ditë u çel edhe në Zubin Potok, të dyja komuna në veriun me shumicë serbe. Në fund të vitit të kaluar u raportuan disa sulme të ngjashme me granata dore. Më 27 nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan u sulmua me dy granata dore. Përveç dëmeve materiale, nuk u njoftua për të lënduar.

Më 29 nëntor, policia bëri të ditur se me një mjet shpërthyes, që dyshohet të ishte granatë dore, u sulmua edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit. Vitet e fundit janë regjistruar një sërë sulmesh të tilla në veri. Rastet e hedhjes së mjeteve shpërthyese dhe djegiet e makinave u rritën sidomos gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Tensionet në veri vazhdojnë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që qeveria e Kosovës i konsideron hapa për shtrirje të sovranitetit në këtë pjesë. Në katër komunat në veri janë mbyllur shumë institucione paralele serbe, si dhe zyra postare e tatimore që nga fillimi i vitit të kaluar.

Më 15 janar, u mbyllën institucione serbe edhe në dhjetë komuna në pjesën jugore të Kosovës, pasi autoritetet në Prishtinë thanë se ishin institucione ilegale. Por, mbyllja e këtyre komunave paralele të Serbisë, si dhe e zyrave postare e tatimore në dhjetë komuna në jug të Ibrit, u përshkrua me polemika.

Prokuroria Themelore në Prishtinë deklaroi se nuk kishte autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi nuk mori ndonjë kërkesë zytare. Kryesisht kanë vazhduar të funksionojnë vetëm institucionet arsimore e shëndetësore, që në zonat serbe punojnë në sistemin e Serbisë.

Serbët në veriun e Kosovës gëzojnë mbështetjen e Beogradit, i cili ka financuar strukturat paralele atje, por edhe ka mbështetur qytetarët përmes pensioneve e shtesave të tjera. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë kundërshtuar shumë nga veprimet e Prishtinës në veriun e Kosovës, ashtu si Bashkimi Europian, duke i vlerësuar si “veprime të paakordinuara”.