Aktualitet

Ndërpritet puna në Rinas, shkak greva e kontrollorëve të trafikut ajror, akuza mes palëve

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Rinasit nuk po funksionon ndërsa të gjitha fluturimet u anuluan, situatë që pritet të zgjasë në një kohë të pacaktuar. Shkak është bërë një grevë e kontrollorëve të trafikut ajror të shoqërisë “AlbControl Sh.A”.

Ata kanë disa kërkesa, përfshirë rikthimin e pagës së plotë sipas kontratës kolektive, rikthim të kolegëve në punë; shfuqizim të vendimeve të bordit; transparencë të plotë financiare për vitin 2020, si dhe një përfaqësues sindikate të jetë anëtar bordi.

Një takim me Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku përfundoi pa marrëveshje dhe Balluku paralajmëroi masa ndëshkuese për kontrollorët e trafikut ajror që nuk i rikthehen punës.

Fluturimet janë bllokuar, pasi është deklaruar paaftësi nga kontrollorët. Kemi një plan për rihapjen, që po laborohet, por nuk do të bëhet publik, përveç datës dhe orës, kur do të rihapen. Për shkak të pandemisë, trafiku në totalin e tij ra me 57% në 2020-ën dhe kontrollorët operojnë 43% të trafikut normal.

Më tej, Balluku vuri në dukje se “Nga 4.400 dollarë, tashmë pagat i kanë 2.490. Po ashtu foli për grusht shteti për të cilin u shpreh se janë përfshirë Meta e Berisha.

Kryeministri Rama bëri një paralajmërim:

Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza”, nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat! Organizatorët do të kallzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cënim të sigurisë kombëtare!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta reagoi për situatën e krijuar.

Jam shumë i shqetësuar për situatën, që po zhvillohet me ndërprerjen e shërbimeve të fluturimeve ajrore për shkak të reagimit të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror, të cilët duket se nuk kanë arritur një dakordësi me Qeverinë dhe organet drejtuese të “Albcontrol”, lidhur me kërkesat e tyre.

Ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje.

Siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare.

I kam paralajmëruar publikisht dhe zyrtarisht të gjitha institucionet përgjegjëse të Qeverisë se duhet të merrnin masa konkrete për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje. Injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është e drejtë.

Edhe pse askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka treguar sinqeritet dhe gadishmëri për të diskutuar në kohë me anëtarët e Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror lidhur me shqetësimet e tyre, ritheksoj edhe një herë se është e domosdoshme që:

– Kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar;

– Në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare;

– Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin, që të garantojë, që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurtë për fluturimet ajrore;

– Nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile.

Qeveria dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol”, duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes kërkesat e kontrollorëve, qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, për gjetjen e zgjidhje të drejtë, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, për trajtimin e kontrollorëve të trafikut ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga Covid-19, ku para së gjithash primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare.

Për Ramën nuk ka dyshime se pas situatës së krijuar qëndron Presidenti.

Ilir, dokrrat me injorimin e kërkesave të pseudosindikatës së kontrollorëve dhe predikimet për mosndërprerjen e punës në aeroport nuk pinë ujë! Je një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur, në kërkimin e palodhur të rrëzimit të qeverisë e të vetë shtetit! T’i harrosh të dyja!

Në rrjetet sociale, Presidenti Meta ka publikuar një letër dërguar pak ditë më parë Ramës, për ta lajmëruar mbi problematikat që i adresoi Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Transportit Ajror.

Qeverisë së 1 Prillit do t’ia jap sot pasdite nga Vlora përgjigjen për Aeroportin e Rinasit, si çështje shumë e rëndësishme e sigurisë kombëtare dhe e detyrimeve ndërkombëtare. Nëse është hapur Aeroporti i Vlorës, konferencën e shtypit do e bëjmë atje, por nëse jo, në një ambient tjetër të përshtatshëm për të cilin gazetarët do të njoftohen në kohë. Ftohet dhe “Tërmeti” të marrë pjesë për shkak të përvojës së tij me aeroportet, fluturimet dhe jo vetëm.

Për anulimin e fluturimeve në Rinas, Opozita bën përgjegjës kryeministrin Rama. Kreu demokrat Basha i kërkon shefit të Qeverisë t’iu japë fund atyre që i cilëson “kërcënime”.

Rama e di tashmë fare mirë se do të humbasë, prandaj po përdor çdo marifet të pisët. Pas grevës në aeroport që dëmton qytetarët shqiptarë qëndron vetë Rama. Ai është i vetmi përgjegjës për këtë. I bëj thirrje Ramës ta ndërpresë menjëherë grevën dhe të ndalë kërcënimet ndaj shqiptarëve që sot duan ndryshim dhe shpresë pas 8 viteve të dështimeve të tij.