Bota

Ndodh përsëri në Amerikë, një burrë hapi zjarr në një spital në Oklahoma duke shkaktuar viktima!

Nuk ndalen sulmet me armë zjarri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas masakrës në Uvalde të Teksasit ku një 18-vjeçar vrau 19 fëmijë e dy mësuese në një shkollë fillore, para se të ekzekutohej nga policia, tashmë raportohet se në një spital në Oklahoma, një person hapi zjarr duke vrarë tre vetë para se t’i jepte fund jetës me të njëjtën pushkë gjysmëautomatike.

Autoritetet amerikane janë pranë identifikimit të agresorit dhe nisën hetimet. Ndërkohë, mediat vendase që citojnë burime policore flasin për “skenë katastrofike”.

Agjentët po kontrollojnë me imtësi çdo mjedis të Natalie Medical Building në kampusin e spitalit St.Francis Hospital. Synimi është të verifikohet nëse ka kërcënime të mëtejshme. Disa persona mbetën të plagosur, por numri i tyre nuk specifikohet ende. Raportohet se presidenti amerikan, Joe Biden u informua e sipas Shtëpisë së Bardhë, “po e ndjek çështjen nga afër”.

Deri tani, dihet vetëm se autori nuk veproi i nxitur nga motive të çastit, por shënjestrat e tij ishin të studiuara. Sipas policisë, ndërhyrja në kohë e forcave të rendit, shpëtoi më shumë jetë njerëzish.

Fundjavën e kaluar, zv.presidentja amerikane, Kamala Harris, bëri thirrje të ndalohen armët, ndërsa vetëm në muajin maj, Amerika u përball me dy masakra, më e rënda në Teksas. Përpara këtij sulmi, më 14 maj në Buffalo të Nju Jorkut, një person po 18-vjeç, hapi zjarr në një supermarket e vrau 10 vetë. Në të dy rastet u përdorën pushkë gjysmë-automatike AR-15. Numri dy i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje se është koha për të thënë: “mjaft është mjaft!”.

Duke shprehur qëndrimin e administratës Biden, zv.presidentja Harris theksoi se “zgjidhja është e qartë e përfshin verifikimin e të kaluarës e ndalimin e armëve!”. Harris pyeti se “përse dikush duhet të jetë në gjendje të blejë armë që të vrasë njerëz të tjerë, pa iu nënshtruar më parë një procesi verifikimi? Çështja e kontrollit të armëve ka ndarë spektrin politik amerikan.