Bota Tech

Në Iphone, Apple do të kërkojë imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve!

Kompania Apple dha detaje mbi një sistem për të gjetur materiale të abuzimit seksual të fëmijëve në pajisjet e konsumatorëve amerikanë. Para se një fotografi të ruhet në galerinë e telefonit, teknologjia do të gjurmojë nëse ka materiale lidhur me abuzimet.

Apple tha se nëse identifikohet diçka e tillë, atëherë përdoruesi i telefonit do të raportohet pranë agjencive të zbatimit të ligjit.

Megjithatë, ekzistojnë shqetësime për privatësinë dhe nëse kjo teknologji mund të zgjerohet për kërkime në telefon, për përmbajtje të ndaluar. Ekspertët shqetësohen se teknologjia mund të përdoret nga qeveritë autoritare për të spiunuar qytetarët.

Apple njoftoi se versionet e reja të iOS dhe iPadOS që planifikohet të publikohen këtë vit do të kenë aplikacione të reja të kriptografisë, për të ndihmuar të mos përhapen materialet abuzuese online.

Sistemi funksionon duke krahasuar fotografitë me një databazë të njohur për imazhe të abuzimit seksual, të përpiluar nga Qendra Kombëtare për Fëmijë të Zhdukur e të Shfrytëzuar, si dhe të tjera organizata që mbrojnë të drejtat e të miturve.

Kjo teknologji mund të identifikojë edhe versione të modifikuara të imazheve origjinale.