Aktualitet

Në nisje të bojkotit të avokatëve, 800 seanca të shtyra në vend!

Bojkoti i avokatëve që ka paralizuar drejtësinë, në shenjë proteste për hartën e re gjyqësore, vetëm sot në ditën e parë ka çuar në shtyrje të rreth 800 seancave në vend. Deri të premten e 17 qershorit që përkon me kohëzgjatjen e grevës, përfaqësuesit e mbrojtjes bënë të ditur se do të marrin pjesë vetëm në seancat lidhur me vlerësimin e masave të sigurisë. Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia deklaroi se “bojkoti po funksionon”, ndërsa pret nga qeveria “të reflektojë”.

Ministria e Drejtësisë ka dhënë dakordësinë për hartën e re gjyqësore ku nga 22 gjykata të shkallës së parë, bëhen 13 dhe nga 6 Apele, numri shkon në 1. Brenda pak ditësh, kjo hartë do të shkojë në qeveri për miratim.

13 gjykata të Shkallës së Parë, 2 Administrative dhe 1 Apeli për të gjithë vendin. Përfundimisht, ky ishte propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ për hartën e re gjyqësore në vend, pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është shtimi i një gjykate të Shkallës së Parë në Sarandë. KLGJ miratoi draftin, i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat e shkallës së parë në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja vuri në dukje se në diskutimet e zhvilluara, kërkesat e avokatëve për hartën gjyqësore u morën parasysh. Manja shprehet kundër bojkotit, duke e cilësuar “të pakuptimtë”, si dhe iu bën thirrje avokatëve “të reflektojnë”.

Protesta janë zhvilluar në Lezhë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Korçë dhe Pogradec, duke çuar në pezullimin e dhjetra çështjeve. Në Lushnje, avokatët i varën veshjet e tyre të seancave, në kangjellat e gjykatës, që me ndryshimet e fundit, transferohet në Fier. Më herët, kreu demokrat Berisha e quajti “antikushtetuese” hartën gjyqësore.