Lifestyle Tech Travel

Nga Londra drejt New York-ut për 80 minuta, ju njohim me avionin e ri supersonik!

Udhëtimi nga Londra drejt Nju-Jorkut zgjat përgjithësisht 7 orë e gjysmë por një avion i ri supersonik, i cili do të përdorë motorë bërthamorë, do të bëjë që distanca mes dy qyteteve, prej mbi 5500 kilometrash, të përshkruhet në vetëm 80 minuta. Ideja e ‘çmendur’, që do të revolucionarizojë fluturimin vjen nga projektuesi spanjoll Oscar Viñals i cili e ka çuar një shkallë më lart propozimin për avionët supersonikë.

Modeli i projektuar prej tij, i quajtur ‘Hyper Sting’, duhet të arrijë një shpejtësi fluturimi prej 4000 kmh, rreth tri herë më shumë se shpejtësia e zërit dhe dyfishin e shpejtësisë së avionëve Concorde, të vetmit aeroplanë supersonikë të prodhuar e të përdorur deri më sot. Sipas Viñals, avioni i tij do të mbajë rreth 170 pasagjerë. Reaktori bërthamor me ftohje të brendshme për momentin është vetëm një koncept teorik, por Viñals shpjegon se ky sistem novator do të lejojë avionin të arrijë shpejtësinë aq shumë të kërkuar, që do të bashkojë botën në një mënyrë të papërjetuar më parë.

Avioni Hyper Sting do të jetë shumë më i madh se Concorde. Sipas projektit të Viñals, avioni do të jetë 100 metra i gjatë, rreth 30 metra më i gjatë se Concorde. Ndërsa hapja e krahëve do të jetë 51,5 metra, më shumë se dyfishi i Concorde. Viñals tha se:

Concorde ishte një makineri e jashtëzakonshme, një eksperiment fisnik, por ndoste shumë ambientin, bënte shumë zhurmë dhe ishte shumë i kushtueshëm për t’u përdorur. Epoka e re e fluturimeve supersonike është pranë, por ka ende sfida për të kapërcyer. Mendoj se prodhimi i një avioni të tillë do të nisë përtej vitit 2030 dhe kostot nuk do të jenë të ulëta.

Rikujtojmë se së fundmi, avioni i parë i pasagjerëve tërësisht elektrik në botë është ngritur me sukses në qiell. Kompania izraelite, Eviation Aircraft, nisi me sukses avionin e quajtur Alice nga pista në Aeroportin Ndërkombëtar të Grant County në Uashington dhe qëndroi në qiell për 8 minuta.