Aktualitet

Nga sot, nafta, benzina e gazi me çmime më të rritura në treg!

Deri më 12 prill, nafta, benzina dhe gazi do të blihen më shtrenjtë në tregun vendas. Bordi i Transparencës vendosi që të rritet çmimi i naftës me 7 lekë ndërsa benzina dhe gazi rriten me nga 1. Nafta do të shitet 233 lekë për litër, benzina 209 ndërsa gazi 115 lekë/litri. Këto çmime reflektojnë ndryshimet në tregjet ndërkombëtare.

Njoftimi i Bordit:

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 5 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare. Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, vendosi:

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 05.04.2022 deri në datë 12.04.2022, si më poshtë: 221 Lekë/litri për gazoilin; 197 Lekë/litri për benzinën; 103 Lekë/litri për benzinën.

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 05.04.2022 deri në 12.04.2022, si më poshtë: 233 Lekë/litri për gazoilin; 209 Lekë/litri për benzinën; 115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Me çmimet e përcaktuara nga Bordi i Transparencës, marzhi i fitimit nga kompanitë e pakicës është 12 lekë litri. Ndërkohë, sipas të dhënave, nafta me shumicë do tregtohet me 221 lekë litri, benzina me 197 dhe gazi me 103 lekë, ndërsa kompanitë e shumicës, marzhin e fitimit e kanë 3 lekë/litri. Këto çmime do jenë në fuqi deri më 12 prill, kur edhe do të mblidhet sërish Bordi i Administrimit të Karburanteve, për të parë në çmimet kanë pësuar apo jo një rritje në tregjet ndërkombëtare e të reflektohen ndryshimet e mundshme.