Nis procesi gjyqësor ndaj aktivistes së klimës, Greta Thunberg!

Ka nisur procesi gjyqësor ndaj aktivistes së klimës Greta Thunberg, për një vepër kundër rendit publik pas protestave të organizuara në qendër të Londrës vitin e kaluar. 21-vjeçarja nga Suedia u arrestua gjatë protestës pranë hotelit InterContinental në Londër më 17 tetor, ku drejtuesit e kompanive të naftës po mblidheshin për eventin e Forumit të Inteligjencës Energjetike.

Thunberg dhe dy protestues të tjerë nga organizata Fossil Free London (FFL) dhe Greenpeace, deklaruan në Gjykatë në nëntor se nuk kishin shkelur Aktin e Rendit Publik 1986 duke bllokuar hyrjen në hotel. Aktivistja britanike e Greenpeace, Maja Darlington, tha se persekutimi i Gretës dhe protestuesve të tjerë paqësorë, tregon se qeveria kujdeset më shumë për rritjen e fitimeve të bosëve të naftës sesa për të luftuar për të ardhmen e jetës.

Organizata Fossil Free London qëndron gjithashtu me Thunberg dhe protestuesit. “Mbretëria e Bashkuar po kriminalizon aktivistët paqësorë të klimës si Greta ndërsa hap tapetin e kuq për kriminelët e klimës në hotelet e Londrës,”-tha zëdhënësja e FFL, Joanna Warrington. Rikujtojmë, se Greta Thunberg në vitin 2019 u shpall Personi i Vitit nga revista Time. Thunberg, është bërë e njohur në shumë vende kur nisi e vetme një grevë në shkollë për ndryshimet klimatike. Kalimtarët shprehën keqardhje ndërsa panë 15-vjeçaren e ulur në kalldrëm me një pankartë të shkruar me dorë, për reduktimin e efektit serrë.