Aktualitet

Nis viti i ri akademik 2023-2024/Mjekësia e pret me protesta kundër punësimit me detyrim!

Nis viti i ri akademik, rreth 20 mijë studentë ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve në vend.  Te Mjekësia paralajmërohet bojkot e protesta kundër punësimit me detyrim. Studentët vazhdojnë të kundërshtojnë ligjin e ri që i detyron të punojnë për 5 vjet në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

Aty ku ende ka kuota të lira pranimi vazhdojnë regjistrimet deri sa të bëhet plotësimi. Këtë vit, për studentët që ulen për herë të parë në auditoret e Mjekësisë, risi është pikërisht fakti që duhet të lidhin kontratë për të ofruar shërbim shëndetësor në vendin tonë për një periudhë 5-vjeçare. Ndërsa për studentët që janë duke e ndjekur Mjekësinë aktualisht, detyrimi është me  më pak vite.

Këtë vit, regjistrimi i studentëve u zhvillua në dy raunde. I pari ishte nga data 29 gusht deri më 11 shtator, ndërsa i dyti deri më 21 shtator.

Regjistrimi u krye online për dy raundet e para dhe në përfundim të tyre, në programet e studimit ku mbetën kuota të lira pranimi, kandidatët që aplikuan në U-Albania u regjistruan drejtpërdrejtë në universitete deri në plotësimin e të gjitha kuotave.

Mes përpjekjeve për të frenuar largimin e mjekëve, më 5 korrik qeveria vendosi që studentët e Mjekësisë, të cilët nisin shkollën këtë vit, duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri pasi të kenë përfunduar studimet e më pas të marrin diplomën. Kryeministri Edi Rama:

Në kushtet kur Gjermania dhe vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, plakjen e popullsisë e nevojën për burime të freskëta nga jashtë dhe kur janë bërë stacion i ndalesës së fundit për shumë profesionistë e shumë njerëz të kualifikuar dhe në këtë rast mjekët, e kemi të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap.

Çdo student që do të hyjë në universitetin e Mjekësisë do të njihet me faktin që Mjekësia, studimet i ka aq sa janë dhe për t’u pajisur me diplomë duhen 5 vjet në shërbim të këtij populli. Për ata që janë në proces, vitet janë më të ulëta. Për ata që do hyjnë në vitin e parë ka vetëm një zgjedhje. Nëse do të hyjnë në Mjekësi, duhet të pranojnë këtë kusht dhe ky është formati i ri i universitetit të Mjekësisë për marrjen e diplomës.