Aktualitet

Që t’u jepet diploma, studentët e Mjekësisë që nisin shkollën këtë vit duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri!

Mes përpjekjeve për të frenuar largimin e mjekëve, qeveria vendosi që studentët e Mjekësisë, të cilët nisin shkollën këtë vit, duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri pasi të kenë përfunduar studimet e më pas të marrin diplomën. Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Edi Rama.

Mesazh për një vendim të rëndësishëm të qeverisë që ka të bëjë me studentët e Mjekësisë dhe me detyrimin për të shërbyer në vend për një kohë të caktuar.

Shteti e financon universitetin publik, formimin e mjekëve të rinj për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet. Nuk është njësoj si profesionet e tjera. Eshtë një profesion i lidhur drejtpërdrejt me detyrimin e çdo shteti për t’u kujdesur për shëndetin e njerëzve dhe me të drejtën e çdo qytetari për të pasur kujdes shëndetësor.

Në kushtet kur Gjermania dhe vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, plakjen e popullsisë e nevojën për burime të freskëta nga jashtë dhe kur janë bërë stacion i ndalesës së fundit për shumë profesionistë e shumë njerëz të kualifikuar dhe në këtë rast mjekët, e kemi të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap.

Çdo student që do të hyjë në universitetin e Mjekësisë do të njihet me faktin që Mjekësia, studimet i ka aq sa janë dhe për t’u pajisur me diplomë duhen 5 vjet në shërbim të këtij populli. Për ata që janë në proces, vitet janë më të ulëta. Për ata që do hyjnë në vitin e parë ka vetëm një zgjedhje. Nëse do të hyjnë në Mjekësi, duhet të pranojnë këtë kusht dhe ky është formati i ri i universitetit të Mjekësisë për marrjen e diplomës.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi sqaroi vendimin lidhur me kandidatët për studentë të Universitetit të Mjekësisë që duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri që të pajisen me diplomë dhe më pas mund të bëjnë tërheqjen e diplomës.

Studentëve nga viti i dytë në të gjashtin, në fillim të këtij viti akademik do u kërkohet të nënshkruajnë një marrëveshje ku angazhohen se do të qëndrojnë. Studentëve nga viti i dytë në të katërtin iu duhen tre vite punë në Shqipëri para diplomimit, ndërsa të vitit të pestë dhe të gjashtë të Mjekësisë, 2 vjet punë me qëllim diplomimin.

Por, nëse këta studentë që aktualisht janë në sistem nuk pranojnë marrëveshjen me Universitetin e Mjekësisë, ministritë e Arsimit dhe Shëndetësisë, pritet t’u ofrohet mundësia që të paguajnë koston reale të studimit për vitet e mbetura.

Ky pr.ligj ishte një emergjencë. Ka lidhje me mbulimin e nevojave që kemi për mjekë e shpërndarjen më të mirë të tyre në gjithë vendin dhe frenimin e largimit të mjekëve drejt vendeve të tjera.

Studentët e vitit të parë ose kandidatët, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me Universitetin e Mjekësisë, ministritë e Arsimit dhe të Shëndetësisë, për t’u angazhuar se pas diplomimit të tyre në Shqipëri do të qëndrojnë 5 vite për punësim në institucionet shëndetësore dhe diploma do tërhiqet pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Studentët që aktualisht janë në sistem, nga viti i dytë në të gjashtin, në fillim të vitit akademik do të nënshkruajnë një marrëveshje ku angazhohen se do qëndrojnë përkatësisht, tre vite. Studentët e vitit të 5-6, dy vite punësim në Shqipëri.

Diploma do të tërhiqet pas përmbushjes së detyrimeve.

Studentëve që janë aktualisht në sistem do t’u ofrohet mundësia që nëse nuk janë dakord për marrëveshjen, të paguajnë sa është kostoja reale e çdo viti akademik, për vitet e mbetura, jo për ato që kanë kaluar. Studentët e tjerë mund të zgjedhin mes dy alternativave.