Aktualitet

Nisin punimet për Aeroportin e Vlorës, e merr në menaxhim Aeroporti i Mynihut!

Sot në 109-vjetorin e Pavarësisë, nisën punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Ndërtuesi nga Kosova, Behgjet Pacolli tha se bëhet fjalë për një vepër madhështore.

Jam shumë i lumtur që jam aktori kryesor i kësaj vepre, shumë i lumtur që kjo ndodh në qytetin që e kam kaq shumë përzemër. Do të jetë aeroporti më i bukur dhe më funksional i këtyre trojeve!

Kryeministri Rama:

Vlora ka historinë e saj për transportin ajror, këtu ku ndodhemi është ndërtuar dhe aerodromi që në 1920-ën, i cili përdorej për arsye ushtarake. Në këto gjurmë, ne sot fillojmë një histori të re, me një mik të mirë, me një njeri më të shquar të sipërmarrjes sonë. Personalitet që me veprat e tij e ka çuar emrin në shumë vende të botës, çmohet prej shumë njerëzve për veprat që ka bërë. Kam nderin ta konsideroj mikun tim, bacën Bexhet, për përshirjen në këtë aventurë të përbashkët. Për të ardhur deri këtu, ka qenë më e vështira, për dreq duhej bërë në Vlorë, m’u desh të përballoja të gjithë padurimin e vlonjatëve që dihet se janë kampionët e padurimit në të gjithë universin shqiptar!

Shefi i qeverisë dha një lajm të rëndësishëm:

Nuk reshtëm së bëri përpjekjet derisa gjërat erdhën aty ku duhet. Dhe më në fund u gjet forca e duhur për ta çuar përpara këtë projekt. Sot ne jemi këtu jo vetëm me konsorciumin, por edhe me një aleancë të Aeroportit të Mynihut, një nga më të fuqishmit të transportit ajror në botë.  Kanë nisur ta monitorojnë projektin që në fillim dhe janë të gatshëm ta marrin aeroportin e Vlorës, që në momentin e parë kur do të jetë gati për fluturimet. Kjo aleanca me Aeroportin e Mynihut garanton menaxhim të nivelit më të lartë por edhe sinergjinë me aeroporte të tjera.