Bota Travel

Njihuni me 10 shtetet më mikpritëse në botë!

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord dje që të heqin kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore duke përfshirë, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë janë edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani. Ndërkaq, “Euronews.com” ka përpiluar një listë me disa nga shtetet që kanë lehtësuar masat anti-COVID për sezonin veror.

Së fundmi, “InterNations”, rrjeti më i madh i atyre që duan të jetojnë e punojnë në emigracion, ka pyetur plot 14 mijë “të huaj” nga shtete e nacionalitete të ndryshme të botës, si pjesë e një studimi të cilësuar “Expat Insider Study”, për të realizuar më pas një renditje sipas kritereve të paracaktuara.

Pjesëmarrësit kanë renditur në dhjetëshen e preferuar këto vende:

10.Australia

Të huajt në këtë vend nuk duan vetëm motin e mrekullueshëm, panoramat e ndryshme shumëngjyrëshe që të ofron me shumicë dhe oferta për kalimin e kohës së lire sa më mirë: edhe vetë natyra e veçantë e australianëve, u shkon më së miri për shtat të huajve që vendosin të jetojnë atje. Rreth 80% e të huajve, thonë se australianët i përthithin shpejt ata në shoqërinë e tyre dhe ata ndihen më pas si në shtëpi.

9.Kanadaja

Katër nga pesë të huaj, e vlerësojnë mikpritjen e popullsisë kanadeze: ato ndihen të mirëpritur në Kanada. Shumë syresh vlerësojnë edhe organizimin e mirë të kohës së lirë atje dhe familjet me fëmijë mendojnë se qëndrimi i tyre në Kanada, ndikon më së miri në mirëqenien e tyre personale, e të jetesës së tyre familjare.

8.Panamaja

“O sa e bukur është Panamaja”: kështu thonë të huajt në Panama, që pohojnë se ata qysh prej largimit nga shtëpia e ardhja në dhe të huaj, në Panama, janë tashmë shumë më të kënaqur. Në fakt, 14% e të pyeturve pohojnë se, kërkimi për një jetë më të mirë, ka qenë edhe arsyeja kryesore për lëvizjen e tyre drejt atij vendi.

7.Tajland

Me gjithë taksat e larta studimore e universitare që aplikohen për shkollat ndërkombëtare, kostot e jetesës në Tajlandë janë ato që balancojnë panoramën. Situata financiare, banorët mikpritës dhe moti përrallor, janë edhe disa prej arsyeve, se përse 87% e të huajve që jetojnë atje, e duan jetën në Tajlandë.

6.Zelanda e Re

Shumica e të huajve, janë të kënaqur nga mundësitë e shumta të kalimit të kohës së lirë, por edhe prej kulisave mbresëlënëse natyrore, si dhe nga kultura relaksuese e “Kiwi”-t, që ndihmon për t’u ndier si në shtëpi.

5.Luksemburgu

Dy të tretat e të huajve që punojnë atje, shprehen shumë të kënaqur me vendin e tyre të punës në Luksemburg. Edhe shanset për karrierë apo për t’u ndierë mirë me vendin e punës, janë pika të tjera plus për vendin e vogël me karakteristika të forta financiare.

4.Singapori

Tigri i Azinë juglindore, është një vend atraktiv që ofron shumë mikpritje për të gjithë ata që janë në kërkim të një pune të mirëpaguar. Cilësia e shkëlqyer e jetës, kujdesi i mirë shëndetësor, një infrastrukturë moderne, si dhe anglishtja si gjuhë zyrtare, tërheqin shumë të huaj nga e gjithë bota.

3.Malta

Pjesëmarrësit në studimin e “Expat Insider”, kanë pohuar se Malta është dhe vendi më i mirë për të punuar e jetuar jashtë vendit tënd. Kënaqësia e përgjithshme në punë është disi e lartë dhe më shumë se dy të tretat e të pyeturve janë të kënaqur me shanset e tyre për të bërë karrierë, balancën mes jetesës dhe punës dhe në veçanti javën e tyre të punës.

 2.Meksika

Me të gjitha shqetësimet për çështjen e sigurisë, Meksika ia ka dalë të kapë vendin e dytë në renditje. Më shumë se katër nga pesë të pyeturit, thanë se ishte e lehtë të mësoheshin me kulturën meksikane, dhe se më shumë se 90% e tyre e pëlqejnë mënyrën e përzemërt të sjelljes së meksikanëve.

1.Ekuadori

Ekuadori është shpallur për herë të dytë në fakt, fitues i listës me një distancë të qartë, duke u perceptuar si më i preferuari për ata që dëshirojnë të braktisin vendin e tyre e të jetojnë diku gjetkë. Në këtë rast, gjinia e pjesëmarrësve në sondazh, nuk luan kurrfarë roli: vendi shumëngjyrësh në Amerikën Jugore, është i preferuar, si nga meshkujt, ashtu dhe nga femrat.