Food & Drink

Njihuni me historinë e picës, kur dhe si u krijua ushqimi më i dashur në botë…

A e dini kur i ka zanafillat pica?. Ushqimi më i preferuar anembanë botës vjen nga Italia, vendi i artit të bukur të rilindjes. Shija, aroma, ngjyrat por edhe përbërësit e bëjnë picën një nga gatimet më të dashura. Rreth historikut dhe zanafillës së saj, studiuesit mendojnë se koncepti i përafërt me picën ka qenë i njohur që në kohën e grekëve të lashtë, por në një formë më të thjeshtë të saj, të quajtur “pissa” ose “pita”.

Për të shkuar më tej, hulumtuesit mendojnë se mund të ketë ekzistuar në të gjithë Mesdheun. E thënë në mënyrë më popullore, “pissa” antike ishte bukë, herë e skuqur dhe herë e pjekur, shpesh edhe me erëza mbi të. Ushqimi u shfaq më pas si “pizza” rreth vitit 997 e.r.

Një dokument i gjetur në veri të Napolit tregon ndodhinë interesante se si një qiradhënës, premtoi t’i paguante pronarit të shtëpisë qiranë përmes mishit të derrit dhe picës. Ndërsa në shekullin e 18-të, pica nisi të përhapej masivisht si një “ushqim rruge” dhe vizitorët në qytet filluan të flisnin për të. Mes njerëzve të famshëm të kohës, shkrimtarë, sundimtarë, kishte nga ata që e urrenin këtë ushqim dhe të tjerë që e donin shumë.

Mbreti Burbon i Napolit, Ferdinand, thuhet se kishte ndërtuar një furrë me tulla në rezidencën e tij, dhe ndonëse konsiderohej si një ushqim i të varfërve, ai e preferonte shumë.

Histori shumë e njohur është ajo e mbretëreshës të Italisë, Margarita, që kur vizitoi Napolin, më 1889, kërkoi të provonte specialitetin vendas. Asaj i ofruan tri lloje të ndryshme picash, ndër to njëra me domate, mocarela dhe borzilok. Mbretëresha mendohet se zgjodhi këtë, pasi i kujtoi asaj flamurin e Italisë, lindi kështu pica Margarita. Megjithatë, ishin emigrantët më të varfër të Italisë që e popullarizuan atë në të gjithë botën. Në fillimi të shekullit të 19-të, pas emigrimit masiv nga jugu i Italisë në Shtetet e Bashkuara, sigurisht që emigrantët morën edhe recetat e tyre me vete.