Celebrities Gossip Showbiz

Nuk ka paqe për ‘njeriun e skandaleve’/Sulmohet pub-i i Conor McGregor!

Së fundmi disa persona të panjohur kanë sulmuar me bomba molotov pub-in e yllit të UFC, Conor McGregor në Dublin. Policia ka nisur një hetim pas ngjarjes në lokalin “Black Forge Inn” në rrugën “Drimnagh”, ku u gjetën dhe dy shishe të tjera me lëndë djegëse në vendngjarje.

Burime për “Dublin Live” bëjnë me dije se dy persona me skuter u panë pranë lokalit dhe më pas u ndoqën nga dy të tjerë që dolën nga lokali. Më tej, mësohet se në lokal po mbahej një event dhe agresorët kanë menduar se Conor McGregor ndodhej aty në ato momente. ‘Black Forge Inn’ është një vend i mrekullueshëm nate që McGregor e ka reklamuar në rrjetet e tij sociale që kur bleu restorantin në 2019 për afërsisht 2.2 milion dollarë.

Menaxheri i lokalit u shpreh për këtë ngjarje se:

Kriminelët bënë një përpjekje për të shkaktuar dëme në ‘Black Forge Inn’ por nuk pati asnjë dëmtim të asnjë klienti, punonjësi dhe McGregor nuk ishte në ambientet e lokalit në momentin e incidentit. 

Përveçse një boksier i njohur, Conor McGregor njihet edhe për natyrën e tij agresive jashtë ringut. Së fundmi, ai është përfshirë në një sherr të dhunshëm në Romë, ku thuhet se sulmoi DJ italian, Francesco Facchinetti. Disa orë pasi djali i tij u pagëzua në Vatikan, McGregor dyshohet se e goditi në fytyrë Facchinetti-n dhe i theu hundën.

Rikujtojmë, se kjo nuk është hera e parë që Conor McGregor bën bujë me sherret e tij. Ai dhe reperi amerikan Machine Gun Kelly u grindën fizikisht në tapetin e kuq të “MTV Video Music Awards”. Gjithashtu në vitin 2019, boksieri u akuzua për sulm, pasi goditi një burrë në një bar të Dublinit.