Rikthimi i shumëpritur i Conor McGregorit në oktagon, pas pesë vitesh mungesë, nuk shkoi sipas planeve. Irlandezi u mposht shpejt në eventin UFC 329 në Las Vegas, por humbja nuk e pengoi të arkëtonte një shumë marramendëse.
Sipas vlerësimeve të mediave ndërkombëtare, vetëm për pjesëmarrjen në duel, McGregor kishte të garantuara rreth 12.8 milionë euro, pavarësisht rezultatit të ndeshjes.
Shifra pritet të rritet ndjeshëm kur t’i shtohen të ardhurat nga përqindjet e transmetimeve “pay-per-view”, shitja e biletave, kontratat e sponsorizimit dhe aktivitetet e marketingut. Në total, fitimet e tij nga eventi vlerësohen të kalojnë 25.5 milionë euro.
Me këto të ardhura, McGregor vazhdon të mbajë statusin e një prej sportistëve më fitimprurës në historinë e arteve marciale mikse. Gjatë karrierës së tij, ai vlerësohet të ketë fituar mbi 212.5 milionë euro vetëm nga ndeshjet, bonuset dhe të ardhurat nga transmetimet.
Pasuria e tij është rritur edhe falë investimeve në biznes. Një nga sukseset më të mëdha financiare ishte shitja e markës së uiskit Proper No. Twelve, ndërsa pasuria totale e irlandezit vlerësohet të jetë mbi 425 milionë euro.
Edhe pse rikthimi në kafaz nuk zgjati shumë, prania e McGregorit konfirmoi edhe një herë ndikimin e tij në sport. Eventi tërhoqi interes të jashtëzakonshëm nga publiku, ndërsa UFC regjistroi një rekord të ri për të ardhurat nga shitja e biletave.
Në duelin kryesor të mbrëmjes, McGregor pësoi një dëmtim në gju pas vetëm 69 sekondash. Max Holloway përfitoi nga situata dhe siguroi një fitore të shpejtë me ndërprerje, duke i dhënë fund rikthimit të shumëpritur të irlandezit në mënyrën më zhgënjyese të mundshme.