Bota

Papa Françesku lë spitalin: Ende jam gjallë!

Pas kurimit tre ditor, sot Papa Françesku la mjediset e Poliklinikës Universitare Gemelli të Romës. Pritet që tani të fillojë përgatitjet për javën më të ngarkuar në axhendën e tij të përvitshme.  Turmës së mbledhur jashtë mjediseve të Gemelli-t për ta përshëndetur, Ati i Shenjtë iu drejtua me shaka duke i thënë se “ende është gjallë”.

Të mërkurën e 29 marsit, Papa u shtrua për shkak të një infeksioni në rrugët e frymëmarrjes, por gjendja e tij shëndetësore u përmirësua me kalimin e ditëve teksa mbahej nën kujdes mjekësor. Dje, kreu i Kishës Katolike vizitoi repartin e Pediatrisë Onkologjike ku shpërndau çokollata me rastin e afrimit të festës së Pashkës Katolike. Gjithashtu, përfitoi nga rasti për të pagëzuar një foshnje.

Zëdhënësi Matteo Bruni informoi se nesër, Papa do të drejtojë meshën e madhe në Vatikan. Për të, kjo është periudha më e ngarkuar e vitit me shumë aktivitete e shërbime para fundjavës së Pashkës. Krahas meshës së të dielës, janë edhe festimet e Javës së Shenjtë e Pashka, javën e ardhshme.

Papa ka planifikuar edhe një vizitë në Hungari në fund të prillit. Fillimisht, Selia e Shenjtë njoftoi se Papa shkoi në spital për një kontroll rutinë, por mediat italiane hodhën dyshime mbi këtë njoftim kur një intervistë televizive u anulua çastet e fundit.

Muajt e fundit, Papa ka përdorur karrocë për të lëvizur, për shkak të disa problemeve me gjurin. Gjithashtu iu nënshtrua një operacioni për një problem me zorrën e trashë në vitin 2021. Në janar, tha se problemi u rikthye. Por, Papa ka mbetur aktiv duke udhëtuar jashtë vendit. Në shkurt, vizitoi Republikën Demokratike të Kongos e Sudanin e Jugut.

Në janar ishte në krye të ceremonisë së lamtumirës për Papa Benediktin XVI, i pari në shekuj që dha dorëheqje vullnetarisht. Mes arsyeve përmendi gjendjen jo të mirë shëndetësore. Papa Françesku ka bërë të ditur se edhe ai mund të ndjekë hapat e Benediktit, në rast se shëndeti i përkeqësohet.