Disa përdorues të X në Brazil ishin edhe një herë në gjendje të hynin në platformën e rrjeteve sociale pavarësisht një ndalimi të vendosur nga gjyqësori i vendit muajin e kaluar. Por, rivendosja e platformës në Brazil ishte e paqëllimshme, ka njoftuar një zëdhënës i X në një deklaratë. “Për të vazhduar ofrimin e shërbimeve optimale për përdoruesit tanë, ne ndryshuam ofruesit e rrjetit. Ky ndryshim rezultoi në një rivendosje të paqëllimshme dhe të përkohshme të shërbimit për përdoruesit brazilianë”-tha zëdhënësi.
“Ndërsa presim që platforma të jetë sërish e paarritshme në Brazil, ne vazhdojmë përpjekjet për të punuar me qeverinë braziliane për t’u kthyer shumë shpejt. Gjithçka që ndodhi gjatë ditës na bëri të besojmë se ishte me qëllim”-tha Basilio Rodriguez Perez, këshilltar i ABRINT, grupi kryesor tregtar i vendit për Ofruesit e Shërbimeve të Internetit (ISP).
ABRINT tha se X u zhvendos në serverët e pritur nga Cloudflare dhe se dukej se po përdorte protokolle dinamike të internetit (IP) që ndryshojnë vazhdimisht, duke i treguar atij se ndryshimi në qasjen për përdoruesit brazilianë ishte i qëllimshëm. Në të kundërt, sistemi i mëparshëm ishte mbështetur në IP specifike që mund të bllokoheshin më lehtë. Basilio Rodriguez Pérez, këshilltar i ABRINT, tha se ato IP dinamike mund të lidhen gjithashtu me shërbime kritike brenda Brazilit.
Shumë prej këtyre IP-ve ndahen me shërbime të tjera legjitime, si bankat dhe platformat e mëdha të internetit, duke e bërë të pamundur bllokimin e një IP pa ndikuar në shërbime të tjera.
Kjo përfshin shërbimin PIX, nga i cili varen miliona brazilianë për të bërë pagesa digjitale. Pavarësisht ndryshimit në server, disa ekspertë thanë se Cloudflare ishte i pozicionuar mirë për të ndihmuar Brazilin të përforconte ndalimin. “Në fakt, mendoj se ndalimi do të ishte edhe më efektiv nëse Cloudflare vërtet bashkëpunon me qeverinë”-tha Felipe Autran, avokat kushtetues në Brasilia. “Unë mendoj se do ta bëjnë, pasi ata janë një ofrues kaq i madh për shumë ndërmarrje braziliane dhe gjithashtu për qeverinë”. Brazili thuhet se është një nga tregjet më të mëdha për rrjetin social të Musk.