Bota

Për të dytin vit rradhazi anulohet Oktoberfest, por çfarë mendojnë gjermanët për këtë?

Festivali më i madh i birrës në botë, eventi i përvitshëm “Oktoberfest”, për të dytin vit rradhazi nuk do të zhvillohet. Edhe këtë vit shkak është bërë pandemia koronavirus e cila ka “mbërthyer” të gjithë globin.

Këtë lajm e ka bërë të ditur kryeministri i landit gjerman të Bavarisë. Oktoberfest tërheq çdo vit në Mynih deri në 6 milionë vizitorë, shumica e të cilëve udhëtojnë nga jashtë vendit.

Njerëzit ulen në tryeza të gjata e të përbashkëta për të konsumuar birrën, të shoqëruar me ushqime të tjera, si dhe për të shijuar muzikën e bandave muzikore në shoqërinë e të afërmve të tyre. Ky vendim i ka mërzitur banorët e Mynihut të cilët u shprehën të dëshpëruar për kalimin e një tjetër viti pa festivalin e famshëm, por thanë se i kuptojnë masat.

Banakierët dhe kamerierët, që pritet të humbasin financiarisht, thanë se i kanë varur shpresat e tyre tek viti i ardhshëm. Për kryeministrin bavarez, Markus Soeder, vendimi ishte i nevojshëm. Ndërkaq ai u shpreh se:

Ekziston gjithashtu rreziku që të shohim skena kaotike, pasi në festat klasike të birrës, masa si distancimi social apo mbajtja e maskës nuk mund të imponohen. Prandaj rekomandohet që këtë vit të anulohen festivalet e mëdha.

 

Rikujtojmë, se Gjermania ka vaksinuar mbi 28% të popullsisë së saj. Këtë vit “Oktoberfest” ishte planifikuar të mbahej nga 18 shtatori deri më 1 tetor.