Në Lviv të Ukrainës, sirenat e alarmit ranë përsëri sot kur ora shënonte 11:30 minuta, ndërsa rrugët ishin të mbushura me qytetarë që lëvizin për aktivitetet e tyre të përditshme. Forcat ushtarake ukrainase iu bënë thirrje t’iu drejtoheshin bunkerëve. Në Zaporizhzhia, bombardimet e orëve të fundit vranë 9 persona e plagosën 17 të tjerë. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut raporton për 816 civilë ukrainas të vrarë dhe 1 mijë e 333 të plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Zyrtarët pranojnë se shifrat nuk janë reale e fatkeqësisht, bilanci i viktimave është më i rëndë. Ndërkohë, mediat ndërkombëtare thonë se janë të paktën 80 të vrarë nga sulmi ajror rus kundër bazës ushtarake ukrainase të Mikolaivit.
Presidenti autoritar bjellorus, Alexander Lukashenko, vendi i të cilit është aleat i Rusisë, akuzon Perëndimin se e shtyu Ukrainën në luftë.
Në prag të konfliktit mes Ukrainës e Rusisë bëra gjithçka munda që të mos kishte luftë. Madje, isha gati të mbyllja kufirin mes Donbasit e Rusisë me forcat e mia kufitare dhe t’i mundësoja asistencë Kievit. Por, Ukraina refuzoi! Përse e bëri këtë? Sepse Perëndimi e shtyu në luftë! Rusia është në gjendje ta ndërmarrë e vetme operacionin ushtarak në Ukrainë, askush nuk na kërkon ndërhyrje!
Ish-kryeministrat britanikë, Gordon Brown dhe John Major bëjnë thirrje për krijimin e një gjykate të re ndërkombëtare, për të hetuar presidentin rus, Vladimir Putin dhe vartësit e tij për sulmet në Ukrainë. Me emra kryesorë nga bota e ligjit, ato akademike dhe politike, iu bashkuan një fushate që synon të nxjerrë presidentin rus në gjyq.
I nisur në një faqe interneti dhe me një objektiv prej dy milion nënshkrimesh, peticioni, tashmë i mbështetur nga 740 mijë persona, kërkon të fitojë përkrahjen e publikut për një gjykatë speciale, të modeluar sipas gjyqit të Nurembergut. Brown kishte një apel:
Në Nuremberg, ne i shpallëm fajtorë kriminelët nazistë të luftës. Tani, tetë dekada më vonë, ne duhet të sigurohemi se do të ketë një ditë llogarie edhe për Putinin. U bëj thirrje të gjithëve ta nënshkruajnë këtë peticion!
“Pushtimi rus i Ukrainës do të shtyjë mbi 40 milion qytetarë në kushte ekstreme varfërie, për shkak të rritjes së kostove të ushqimit dhe energjisë”. Kështu deklaroi Qendra Amerikane për Zhvillim Global (CDG), pas një analize të gjendjes së krijuar në ish-republikën sovjetike.
Nga fillimi i konfliktit, çmimet e lëndëve të para agro-ushqimore janë rritur mbi nivelet e regjistruara në vitet 2007 e 2010 kur sipas Bankës Botërore, përkatësisht 155 milion dhe 44 milion njerëz përfunduan në varfëri ekstreme. Për momentin, vendet më të rrezikuara janë ato që blejnë drithë direkt nga Ukraina dhe Rusia, të cilat mbulojnë mbi një të katërtën e eksporteve në nivel global. Çmimet në mbarë botën do të rriten deri në momentin që do të ketë një garë për produkte alternative.