Dy të vdekur, një i zhdukur dhe një i shpëtuar, është bilanci i rrëzimit të një helikopteri të marrë me qira prej forcave zjarrfikëse greke.
Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës në brigjet e ishullit Samos më Egjeun Lindor.
Sipas rojes bregdetare greke, helikopteri Mi-8 pronë e një kompanie ukrainase, ishte marrë me qira prej qeverisë greke dhe po punonte për fikjen e një zjarri masiv në ishullin e Samos.
Në rrethana që ende nuk dihen, helikopteri humbi lartësi në momentin që po mbushte kovën me ujë dhe përfundoi në det.
Piloti rumun i helikopterit u deklaroi rojeve bregdetare greke se nuk është në gjendje të thotë se se ç’ka ndodhur pasi çdo gjë ndodhi në pak sekonda dhe helikopteri u rrëzua në det. 4 anëtarët e ekuipazhit dolën të gjallë jashtë mjetit fluturues, por në minutat në vazhdim dy prej tyre humbën jetën, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.
Në helikopter ndodheshin veç pilotit rumun, dy ndihmës pilotë moldavë dhe një përkthyes grek. Në momentin e aksidentit në zonë kishte erë me forcë 60 km/h ndërsa në det kishte dallgë 6 ballë. Në zonë vazhdon ende operacioni i shpëtimit.