Dritan Hoxha, “Mjeshtër i Madh”. Në një ceremoni në Presidencë, themeluesit të grupit mediatik Top Media iu akordua titulli i rëndësishëm nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Eshtë kënaqësi për mua që sot të nderoj me titullin “Mjeshtër i Madh”, një nga personazhet më të njohura të medias vizive shqiptare, guximtar në krijimtari, ëndrrimtar e vizionar i palëkundur, inovator e pasionant. Ai arriti të krijojë një vepër të papërsëritshme për nga dimensionet. Njeriu që punoi natë e ditë për të realizuar projektin e jetës. Ai e meritoi mbiemrin me të cilin njihej, si Tani i Topit. Shembulli i tij është tregues se si sipërmarrja private shndërrohet në një të mirë publike, se si shqiptari mund t’ia dalë të jetë i sukesshëm, edhe në vendin e tij, se si suksesi në biznes mund të shoqërohet me bujari dhe filantropi. Tani ishte një nga ata pak njerëz që të ardhmen e shihnin, tani! Media që krijoi ishte televizioni shumë i munguar nga ekrani i shqiptarëve. Tani i Topit vendosi standardet e larta të medias vizuale, mbështeti qindra të rinj e të reja, të realizonin talentet e tyre dhe krijoi koncepte të reja, të cilat e ngritën nivelin e informimit në Shqipëri. Ai pati largpamësinë që nëpërmjet paketës Digitalb, të shpërndante lajmin dhe gjuhën shqipe, duke kontribuar në këtë mënyrë në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe, edhe te diaspora jonë. Sot, trashëgimia e tij është jo vetëm sipërmarrëse, por edhe pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë mediatike. Uroj dhe besoj, që këtë trashëgimi ta vazhdoni ta çoni përpara ju, familja e tij, me përgjegjësi dhe krenari!
Në emër të familjes së Dritan Hoxhës, CEO e Televizionit Kombëtar, Top Channel, Lori Hoxha mbajti një fjalim:
Në emrin tim dhe gjithë familjes do të doja të falënderoja zotin President për nderin dhe vlerësimin që iu bë sot tim ati. Për ne është lumturi e madhe, që sot pas 15 vitesh nga ikja e tij, ai mbahet gjallë nga vepra dhe nga ndikimi që pati në jetën e çdo shqiptari. Unë i jam mirënjohëse, po aq sa duhet të jetë edhe çdo shqiptar për njeriun e pakapshëm që ishte dhe për dëshirën e vullnetin që pati për të ndërtuar një media, e cila edhe sot jeton me frymën dhe vizionin që ai la. E vetmja media shqiptare që vazhdon dhe mbahet me frymën e dashurinë, edhe dëshirën për të bërë gjëra të bukura e për t’i shkuar sa më afër të vërtetës, në çdo gjë që bën. Media e cila ruan me dinjitet themelet duke vrapuar drejt së ardhmes, pa frikë e pa kompromise. E vetmja media shqiptare e trashëguar te brezi i ri, ai që brez që e mësoi shqipen të pacënuar, pikërisht sepse Dritan Hoxha besoi fort që e ardhmja është shqip dhe ajo s’duhet prekur. Media, e cila çdo ditë ka mbi 8 prodhime shqip e çdo mbrëmje flitet shqip. Një media që ruan, edhe kur humb, gjuhën e trashëgiminë. Media e cila lufton sot lojën e pabarabartë të konkurrencës në audiencë, me Top Channel e në shpërndarje të gjerë shqip, me Digitalb. Një tjetër vlerë kombëtare, e cila përcjell akoma gjuhën shqipe te çdo shqiptar, sa më larg shtëpisë.
Media që shtoi një treg që nuk ekzistonte dhe i mundësoi vetes mbijetesë, duke mos cënuar në asnjë moment, interesin publik. Media që shkëlqen e furnizohet vetëm me punë dhe me dinjitet, e paprekur nga baltosjet e vazhdueshme që nuk ngjisin e nuk bëjnë pis, sepse nuk janë të vërteta. Im atë ishte i vërtetë, Top Media është e vërtetë e kjo ndihet dhe prandaj shkëlqen. E njohin shqiptarët të vërtetën, e besojnë dhe e ruajnë. Unë e di se e shoh si përkthehet në audiencë. Dhe sa i largohesh pak së vërtetës, ajo prapë ndihet. Jam e lumtur që Top Channel, por edhe Shqipëria ka standard Tanin e limitet që ai vendosi, që ne vetëm do të na duhet t’i ruajmë e t’i përshtasim.
Im atë nuk la pas vetëm veprën, por edhe familjen e zonjën e tij. Nuk më është dhënë rast deri tani, por do të doja ta falënderoja time më, për gjithë punën dhe luftën që ka bërë krah tim eti e më pas për t’i ruajtur atij dhe familjes, vizionin. Unë dal sot me kokën lart e pranoj medaljet për tim atë, pikërisht sepse ajo qëndroi stoike dhe diti kur të luftonte e kur të tërhiqej dhe delegoi me dinjitet atë që iu desh shumë vite ta ruante. Për mua, vepra më e rëndësishme e Dritan Hoxhës është familja dhe unë kam nderin e përgjegjësinë të përfaqësoj sot atë dhe emrin e tij. Qoftë kujtimi i tij i paharruar për shqiptarët, siç është edhe për ne! Në aq pak vite sa jetoi, i fali Shqipërisë shumë dritë. Ju faleminderit!