Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog vlerësoi lart mbështetjen që Shqipëria ka dhënë për vendin e tij, në luftën me Hamasin, që vijon prej Tetorit të vitit të shkuar.
“Kombi izraelit kurrë nuk do të harrojë si ju dhe kombi shqiptar qëndruat krah Izraelit”, theksoi mes të tjerash Herzog.
“Për mua është domethënëse të jem mes miqsh në këtë kohë kaq të dhimbshme për Izraelin. Po i afrohemi një viti qëkur Hamasi sulmoi në mënyrë brutale Izraelin. Qysh prej asaj dite të errët në Tetor, Shqipëria është vendosur në mënyrë të palëkundur, është radhitur në anën e duhur të historisë. Vendi juaj tregoi edhe njëherë që qëndron krah vendit izraelit. Puna jonë s’ka mbaruar ende, pengjet ende mbahen në mënyrë mizore në Gaza. Për fat të keq po luftojmë në të njëjtën kohë më shumë sesa terroristët. Shqiptarët e hebrenjtë ndajnë një histori të gjatë e domethënëse. Hebrenjtë e Europës gjetën strehë gjatë holokaustit në vendin tuaj. Kemi shumë për të mësuar tashmë nga njëri-tjetri. Jam shumë i kënaqur që gjendem këtu. Jam shumë i kënaqur që pata mundësi t’i diskutoja sot këto këtu. Kombi izraelit kurrë nuk do të harrojë si ju dhe kombi shqiptar qëndruat krah Izraelit.”
Ndërsa kryeministri Edi Rama u ndal tek lidhja historike mes shqiptarëve dhe Izraelit.
“Paraardhësit tanë qofshin myslimanë a të krishterë kapërcyen çdo lloj paragjykimi fetar dhe mbrojtën hebrenjtë dhe asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve. Shqipëria u bë një vend ku ndryshe nga vende të tjera hebrenjtë nuk largoheshin, por vinin të gjenin miqësi, strehë dhe mbrojtje. Është një lidhje historie që gjithmonë do të jemi të prirur ta forcojmë. Do të vazhdojmë të jemi përherë në mënyrë të palëkundur kundër çdo forme, a mënyre antisemitizmi”, tha Rama.
Nga ana tjetër ai u shpreh se Shqipëria mbështet armëpushimin dhe çdo përpjekje të mundshme që shpëton pengjet, por edhe që të nisë një proces të ri për të sjellë paqen në rajon.
“Jemi të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku populli i Izraelit dhe populli i Palestinës jetojnë, është absolutisht shumë e rëndë dhe është absolutisht diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt. Jemi mjaft të vetëdijshëm se kjo është më e lehtë të thuhet se të bëhet dhe se lufta kundër terrorit është shumë më e vështirë sesa ç’mund të duket nga larg. Megjithatë Shqipëria ka qenë po kështu një mbështetëse mjaft e madhe e armëpushimit dhe e çdo përpjekje të mundshme për të sjellë në shtëpi pengjet dhe për të nisur një proces të ri për të mirën e të gjithë njerëzve. Jam shumë i prirur të theksoj se ndërkohë këto janë kohë mjaft të vështira për Izraelin, popullin e tij dhe çdo popull që jeton në atë kënd të botës. E ardhmja do të jetë me siguri e ardhmja e një Izraeli më të fortë dhe më të sigurt”, tha Rama.
Një ftesë, kryeministri Edi Rama e pati edhe për izraelitët që duan të pushojnë apo të bëjnë biznes në Shqipëri.
“Jemi këtu krahë hapur për të mirëpritur të gjithë izraelitët që duan të vijnë, qofshin turistë, sipërmarrës, artistë, shkrimtarë. Qofshin njerëz që merren me teknologji të lartë apo ata që janë në moshë më të vjetër që duan të kenë shtëpinë e tyre këtu në mes të Europës. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ka një potencial të jashtëzakonshëm për tu zhvilluar me shpejtësi. Prirjet janë shumë inkurajuese dhe të dukshme, por afërmendsh që duhet të bëjmë më tepër. Jam shumë i lumtur që kam presidentin këtu si mik, jo vetëm si president i Izraelit, por si mik i vjetër që e kam njohur shumë kohë më parë, kur ishte në llogoret e politikës në Izrael”, u shpreh Rama.
Kjo është vizita e parë e një Presidenti të shtetit të Izraelit në Shqipëri.