Aktualitet

Problematika me PEI-n dhe mungesën e komisionerëve edhe në njësinë më të madhe të votimit në kryeqytet!

Ndërsa ora 07:00 e mëngjesit shënon hapjen e qendrave të votimit dhe disa qytetarë me të drejtë vote i janë drejtuar atyre për të votuar në këto zgjedhje vendore, shënohen dhe problematikat e para. Gazetarja e Top Channel, Dori Sallaku dha informacione më të detajuara se si po shkon procesi i votimit në njësinë më të madhe të votimit në kryeqytet.

Në njësinë numër 5 në kryeqytet, njësia më e madhe ka patur problematika që në nisje. Nisja me vonesë për shkak të mungesës së komisionerëve dhe problemi më i madh ai me pajisjet e identifikimit. Pajisja elektronike nuk ka funksionuar, shumica e qytetarëve që kanë ardhur për të votuar janë larguar për t’u rikthyer pasi pjesa më e madhe ende nuk ka mundur të votojë. Një pjesë tjetër kanë patur mundësi të votojnë. Deri më tani mund të themi se një pjesë shumë e vogël ka votuar. Ka patur problematika edhe me mungesën e komsionerëve, por duket se disa kanë ardhur dhe disa janë zëvendësuar. Kryesorja mbetet ajo e identifikimit sepse ka vonuar një pjesë të qytetarëve të cilët nuk kanë mundur të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Në një tjetër problematikë, u mësua për një rast dhune ndaj kandidatit të PS-së në Kolonjë, goditet kandidati i Partisë Socialiste, Erion Isai. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të mbrëmjes nga një simpatizant i PD pranë fshatit Qinam. Isai ka qenë duke ecur me mjetin e tij kur e kanë ndalur në rrugë dhe është goditur. Nuk ka pasur ndërhyrje nga shoqëruesit e Isait por është njoftuar policia e cila ka shoqëruar agresorin. Eshte shoqeruar nga policia Esmerald Kacolli autori.