Bota

Protesta nga Australia në Belgjikë për konfliktin izraelito-palestinez!

Shumë shtete po reagojnë pro Izraelit apo pro Palestinës pas luftimeve në Gaza dhe përplasjeve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

Rreth 100 protestues pro palestinezë në një protestë të organizuar në Bruksel janë mbledhur për të shprehur zemërimin e tyre para ambasadës izraelite në Bruksel. Për rreth një orë protestuesit kënduan dhe valëvitën paqësisht flamuj palestinezë.

“Ndihem sikundër çdo njeri do të ndihej. Zemërim, inat, dëshpërim, të pashpresë”, u shpreh Nadine Naffah, një mbështetëse palestineze në protestën në Bruksel.

Përpara ambasadës izraelite në Kopenhagen rreth 4 mij njerëz u mblodhën për të protestuar kundër operacioneve ushtarake izraelite në territoret palestineze dhe policia daneze përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë pjesëmarrësit pasi një grup i vogël protestuesish përdorën gurë dhe fishekzjarrë kundër policisë.

Protesta ka pasur edhe në  Stamboll ku rreth 300 myslimanë mbajtën një lutje simbolike për palestinezët e vrarë në përshkallëzimin e fundit të dhunës në Jerusalem dhe Rripin e Gazës.

Mijëra myslimanë të udhëhequr nga aktivistë nga një parti politike islamike demonstruan të premten në kryeqytetin e Bangladeshit për të denoncuar sulmet e Izraelit në Gaza.

Një tubim është mbajtur edhe në Melburn të Australisë . Ku mijëra qytetarë u grumbulluan për të kërkuar ndaljen e konfliktit. Solidaritet e mbështetje ka pasur edhe për Izraelin nga shtete të ndryshme sikundër SHBA, Ukraina apo Austria.

Ndërkohë komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka paralajmëruar si Forcën e Mbrojtjes Izraelite ashtu edhe grupet e armatosura palestineze se sulmet ajrore dhe sulmet me raketa në zona civile të populluara- si dhe përdorimi i municioneve nga forcat izraelite të sigurisë kundër protestuesve, mund të përbëjnë krime lufte.