Aktualitet

Protestë e avokatëve para KLGJ-së/Kushtetuesja si hap i fundit!

Në vijim të kundërshtive ndaj hartës së re gjyqësore që redukton numrin e gjykatave në vendin tonë, avokatët protestuan në kryeqytet para zyrave të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ. Gjatë kësaj proteste të organizuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, u hodhën parulla me mbishkrimet: “Jo hartës gjyqësore të axhendës Soros të shpopullimit të Shqipërisë”, “Avokatë duhet të protestojmë te Kryeministria, Rama është kreu real i KLGJ-së dhe çdo gjykate”, “Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”.

Kryetari i Dhomës Kombëtare e Avokatisë, Maks Haxhia deklaroi se si hap i fundit mbetet Gjykata Kushtetuese.

Nuk ndihemi të humbur në aspektin që gjithë problemet nuk u morën parasysh. Ajo që ne donim të realizonim, e realizuam. Ua kemi bërë të qartë qytetarëve që kjo hartë gjyqësore do të rëndojë në kurrizin dhe në xhepat e tyre. Të shërbejë ky tubim si një thirrje e fundit për Këshillin e Lartë Gjyqësor e qeverinë, për ta riparë edhe njëherë. Kjo hartë do të krijojë problematika të mëdha. Ne nuk vëmë vija të kuqe, jemi profesionistë. Kemi paraqitur argumentet tona, që drejtësia të jetë e realizueshme. Kemi propozuar shumë variante që janë mëse të realizueshëm dhe me rezultate bindëse. Do ta çojmë në Kushtetuese, hapi i fundit. Nuk bëjmë protestë për të treguar forcën tonë.

 

Tashmë, prej disa javësh, rreth dy mijë avokatë, bojkotojnë proceset në formë greve, për të detyruar KLGJ-në të reflektojë mbi hartën e re gjyqësore, që shkrin 18 gjykata.

Më herët, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami i është përgjigjur pyetjes së ngritur nga deputeti demokrat Gazment Bardhi, nëse vendimi për hartën e re gjyqësore është përfundimtar. Llagami e pohoi, duke thënë se “ky vendim është përfundimtar” dhe se “pasi e hartuan, ia kaluan Ministrisë së Drejtësisë”. Ajo u shpreh se “fokusi ka qenë te shpërndarja e dosjeve në mënyrë të barabartë, për çdo gjyqtar të Apelit”. Kundër hartës gjyqësore doli edhe deputeti socialist, Fatmir Xhafaj.