Aktualitet

Rama: Firmosëm 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive/Pritet konfirmimi i takimit me Kurtin!

Ndërsa me mbledhjen e dy qeverive, Albin Kurti kushtëzoi takimin me Edi Ramën, i cili sot nis një tur ballkanik me ndalesë dhe në Prishtinë, kryeministri thotë se Ministrisë së Jashtme të Kosovës i janë dorëzuar të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive, të firmosura nga pala shqiptare. Shefi i qeverisë shpreson në konfirmimin e takimit me Kurtin, sot pasdite.

Në një postim në Twitter, Rama shkruan:

Janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga Kryeministri Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite.

Me ndalesën në Shkup e më pas në Prishtinë, sot kryeministri Rama nis turin ballkanik 2-ditor që nesër vijon me Podgoricën, Beogradin e Sarajevën. Në Kosovë konfirmohen takimet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Takimi me Osmanin është përcaktuar për në orën 16:00. Dje, Albin Kurti tha se është i gatshëm të takohet vetëm në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Në mënyrë që marrëveshjet e dakordësuara të mos mbeten në sirtar, i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë, të mbajmë dhe një mbledhje të përbashkët. Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm e në Ballkan nuk ka liderë si kryeministri i Kosovës që e ka mbështetur e vazhdon ta mbështesë.

Për Albin Kurtin, nuk “lëngon” raporti Kosovë-Shqipëri për faktin që nuk takohen kryeministri i Kosovës dhe ai Shqipërisë, por sipas tij, “për shkak se mbledhjet e dy qeverive janë anuluar pa arsye”. Shefi i qeverisë së Prishtinës theksoi gatishmërinë që të takohet me kryeministrin Rama, vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive.

Turi dy ditor i kryeministrit Rama i paraprin samitit për Procesin e Berlinit në Tiranë, në tetor. Pak ditë më parë, shefi i qeverisë tha se nisma e Ballkanit të Hapur lindi nga nevoja për të shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe vuri në dukje se e ka kryer misionin.