Celebrities Fashion Film & Tv

Rikthehet shkëlqimi në Festivalin e Filmit në Kanë!

Festivali i Filmit në Kanë nisi mbrëmjen e djeshme dhe do të vijojë deri të shtunën, më 28 maj 2022. Yjet po ‘vërshojnë’ sërish në Francë dhe do të shohim shumë prej tyre të kalojnë në tapetin e kuq. Dje janë shfaqur personazhe të famshëm si Eva Longoria dhe Lori Harvey, të veshura elegante e me bizhuteritë verbuese.

Festivali u anullua në 2020-tën për shkak të masave të rrepta kundër pandemisë së COVID-19, por tapeti i kuq shkëlqeu sërish këtë vit. Eva, Lashana dhe Julianne u shfaqën plot finesë në edicionin e 75-të të këtij viti. E veçanta është se kësaj radhe aty janë paraqitur edhe disa yje të TikTok. Ndërkaq, njihuni me disa nga veshjet më të bukura të tapetit të kuq:

Rikujtojmë, se në nder të 75 vjetorit të Festivalit të Kanës organizatorët e eventit më të madh të filmit në botë kanë zgjedhur Chopard për të realizuar trofeun e jubileut të Festivalit. Chopard ka 25 vjet që ‘ushqen’ një marrëdhënie pasionante me këtë event ndaj edhe Palma e këtij edicioni realizuar nga brandi prestigjoz i bizhuterive do të jetë e jashtëzakonshme.

Risjellim gjithashtu në vëmendje se Festivali i Filmit në Kanë ka marrë një qëndrim për luftën në Ukrainë dhe do të ndalojë delegacionet ruse në edicionin e tij të 75-të këtë maj. Në një deklaratë të lëshuar nga organizatorët së fundmi u tha se Festivali i Kanës dëshiron të japë të gjithë mbështetjen e tij për popullin e Ukrainës dhe të gjithë ata që janë në territorin e saj.