Aktualitet

Rritja e çmimit të energjisë, nuk hyn në fuqi në tetor/Kryeministri Rama njofton shtyrjen!

Rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë që kalojnë fashën 800 kWh, nuk do të hyjë në fuqi më 1 tetor. Kryeministri Rama sapo dha lajmin.

Siç e kemi njoftuar, nga 1 tetori, nga nesër është planifikuar hyrja në fuqi e fashës së konsumit 800 kWh mbi çmimin e mbrojtur nga qeveria për konsumatorët familjarë. Kjo fashë synon nga njëra anë mbrojtjen në vazhdimësi të 96% të familjeve, të cilat edhe gjatë dimrit nuk e kalojnë kufirin e 800 kWh. Nga ana tjetër, fasha synon që 4% e abonentëve, të cilët e tejkalojnë këtë kufi dhe konsumojnë afro 20% të të gjithë sasisë së energjisë, të paguajnë me çmimin real çdo kilovat mbi kufirin e 800 kWh.

Kjo nuk është një shpikje e jona, por një metodë e ndjekur nga plot vende për të nxitur kursimin e energjisë në këtë kohë kaq të zymtuar botërisht prej inflacionit të luftës, si dhe për të mos paguar nga taksat e të gjithëve, mbrojtjen e çmimit për konsumin e lartë të një pakice. Kursimi i energjisë është arma kryesore për ta kaluar këtë dimër, pa kufizime energjie.

Këtë nuk e them unë, por e thotë logjika e kësaj krize globale të shkaktuar nga lufta mes dy prej furnitorëve më të rëndësishëm të botës me energji, grurë e jo vetëm, dhe e përsërisin të gjitha qeveritë e Europës. Disa ndër ne këtu në  Shqipëri, thonë se vendi ynë s’ka lidhje me krizën energjetike, sepse ka ujë dhe ka hidrocentrale sa të duash, por as e para dhe as e dyta nuk janë të vërteta.

Burimet ujore varen nga reshjet, por edhe sikur ky vit të jetë ndryshe nga tre vitet e fundit që kanë qenë vite rekordesh negative për sasinë e reshjeve, sistemi ynë energjetik, me hidrocentralet plot e përplot, plotëson vetëm 75% të nevojave për energji.

Ne po ecim sipas planit që të arrijmë të plotësojmë 100% të nevojave me prodhim të brendshëm energjie brenda këtij 10 vjeçari dhe për ta bërë Shqipërinë vend energjitikisht sovran, si dhe eksportues neto të energjisë.

Por, pikërisht se hë për hë nuk i plotësojmë dot të tëra nevojat, duhet të vazhdojmë të dalim në tregun ndërkombëtar, aty ku goditen të gjitha vendet e Europës nga çmimet çmendurake të energjisë në këtë kohë lufte.

Megjithatë unë dhe kjo qeveri, jemi këtu, jo vetëm për të garantuar mbrojtjen e çmimit të energjisë së konsumatorëve familjarë e të bizneseve dhe furnizimin e pandërprerë të tyre me energji, por edhe për të mos lënë asgjë pa bërë, që barra faktike dhe psikologjike e kësaj lufte, si dhe e inflacionit që ajo ka sjellë, të lehtësohet sa më shumë.

Pa dashur t’ju marr kohë e t’ju lodh me shumë fjalë, jam këtu për t’ju thënë se sot kam një lajm pozitiv pas një diskutimi që kemi zhvilluar mbrëmë deri vonë. Më 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kWh, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17,000 kWh, sot është rreth 11,000 kWh.

Më 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 kWh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë nga sa ç‘është sot pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasjeje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë.

Nga ana tjetër, ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të dhjetë ditëshit të parë të tetorit.

Prandaj në këto kushte, bazuar sigurisht në një analizë shumë më të detajuar të të gjithë parametrave teknikë dhe të projeksioneve, si dhe me angazhimin e plotë për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe hapësirë që krijohet që ta lehtësojmë sadopak barrën faktike, por dhe atë psikologjike të kësaj situate, mbi të gjitha familjet, të cilën s’e ka krijuar qeveria, po qeveria e ka barrën ta menaxhojë sa më mirë të jetë e mundur, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 kWh të mos hyjë në fuqi në muajin tetor.