Bota

Rusia sulmon në Kharkiv të Ukrainës!

Rusia kreu sulme ajrore në të dytin qytet më të madh ukrainas, Kharkiv. U godit një stacion trenash dhe u ndërpre energjia për më shumë se 18 mijë familje. Forcat ruse goditën me raketa të llojit S-300, që shpesh përdoren për të bombarduar infrastrukturat civile në qytetet ukrainase. Nuk u raportuan viktima.

Sulmet në Kharkiv vijnë pasi një javë më parë u kryen bombardime të ngjashme në një stacion trenash e në blloqe banimi. Luftime të ashpra vazhdojnë edhe në rajonin e Khersonit. Forcat ushtarake ruse qëndrojnë në anën e djathtë të bregut të lumit Dnipro. Me luftimet që vazhdojnë, Uashingtoni po përgatit një paketë të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë 1.1 miliard dollarë.

Zelenskyy i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “Rusia duhet të izolohet ndërkombëtarisht për referendumet false në Ukrainë”. Presidenti ukrainas sugjeroi që ndaj Moskës të vendosen sanksione të mëtejshme, t’i hiqet veto në Këshillin e Sigurimit e t’i pezullohet anëtarësimi në të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria prezantuan një draft-rezolutë mes vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ku dënohen referendumet. Po ashtu, u bëhet thirrje të mos njohin statusin e ndryshuar të Ukrainës e ta detyrojnë Rusinë të tërheqë forcat nga ky vend. “Nëse Rusia vendos ta imunizojë veten nga llogaridhënia në Këshill, ne do të kërkojmë nga Asambleja e Përgjithshme që t’i dërgojë mesazh të pagabueshëm Moskës”, – tha ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield.

Bashkimi Europian beson se nuk janë rastësi rrjedhjet në dy tubacionet nënujore të gazit rus. Sipas kryediplomatit Josep Borrell, “ka tregues për akte të qëllimshme”. Deklaratat e Borrellit vijnë pasi sizmologë nga Suedia e Danimarka regjistruan shpërthime të fuqishme pranë zonave ku pati rrjedhje nga tubacionet e Nord Stream-it, në Detin Baltik. Policia suedeze nisi hetimet për një sabotim të mundshëm. Rrjedhjet në tubacionet ruse shtojnë frikën sa i përket krizës energjetike në rritje, ndërsa shtetet perëndimore po largohen nga furnizimet e Moskës pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt.