Bota

Rrjedhjet e gazit, BE-ja i konsideron “të qëllimshme”!

Bashkimi Europian beson se nuk janë rastësi rrjedhjet në dy tubacionet nënujore të gazit rus që ndodhën pak ditë më parë. Shefi i diplomacisë së Bllokut, Josep Borrell, tha se “ka tregues se janë akte të qëllimshme”.

Duke shprehur shqetësim të thellë për rrjedhjet në Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, bëj thirrje për hetim! Të gjitha informacionet e deritanishme lënë të kuptohet se këto rrjedhje janë si rezultat i akteve të qëllimshme.

Deklaratat e Borrellit vijnë pasi sizmologë nga Suedia e Danimarka raportuan se kanë regjistruar shpërthime të fuqishme pranë zonave ku pati rrjedhje nga tubacionet e Nord Stream-it, në Detin Baltik. Policia suedeze nisi hetimet për një akt sabotimi të mundshëm.

BE-ja është thellësisht e shqetësuar lidhur me dëmin që kanë shkaktuar rrjedhjet nga gazsjellësit në ujërat ndërkombëtare të Detit Baltik. Këto incidente nuk janë aspak të rastësishme dhe na prekin të gjithëve ne. Çdo ndërhyrje e qëllimshme në infrastrukturën e energjisë europiane, nuk është e pranueshme dhe do të pasohet me përgjigje të fuqishme e të unifikuar.

Rrjedhjet e konstatuara në tubacionet ruse kanë shtuar frikën sa i përket krizës energjetike në rritje, ndërsa shtetet perëndimore po largohen nga furnizimet energjetike ruse pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, më 24 shkurt.

Ndërkaq, këshilltari presidencial ukrainas, Mikhaylo Podolyak, tha se “rrjedhjet e gazit ka të ngjarë që të jenë shkaktuar “nga një akt terrorist” i kryer nga Moska.

Moska uli furnizimet me gaz për në Europë përmes gazsjellësit Nord Stream 1. Ndërkaq, në gusht ndërpreu të gjitha furnizimet nga ky tubacion, duke thënë se “sanksionet perëndimore kanë shkaktuar probleme teknike”. Gazsjellësi Nord Stream 2 është i kompletuar, por Gjermania hoqi dorë nga plani për ta bërë funksional këtë tubacion, pak ditë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës, mbi 7 muaj më parë. Megjithatë, të dy këta gazsjellës kanë gaz nën presion.