Bota Sport

Sajoi intervistën me Schumacher-in përmes Inteligjencës Artificiale, shkarkohet kryeredaktorja e “Die Aktuelle” në Gjermani!

Në Gjermani, grupi mediatik “Funke” shkarkoi kryeredaktoren e një tabloidi gjerman që publikoi një intervistë të rreme me ish-kampionin e botës në Formula 1, Michael Schumacher. Për këtë shfrytëzoi përparësitë që jep Inteligjenca Artificiale, por që më shumë se avantazhet solli në vëmendje edhe debatin rreth rreziqeve të kësaj inteligjence.

Që nga sot, Anne Hoffmann, kryeredaktore në revistën “Die Aktuelle” u lirua nga detyrat e saj.

Kjo u njoftua në një deklaratë të grupit mediatik që gjithashtu i kërkoi falje për shqetësimin e krijuar, familjes së ish-pilotit që nuk shfaqet më në publik. Në vitin 2013, një aksident me ski u bë shkak që Michael Schumacher të pësonte dëmtime të rënda në tru.

Në mënyrë mashtruese, intervista sugjeronte se 54-vjeçari Schumacher zbulonte detaje të shërimit të tij. “Ky artikull pa shije dhe mashtrues nuk duhej të ishte shfaqur kurrë. Në asnjë mënyrë, shkrimi nuk korrespondon me standardet e gazetarisë që ne dhe lexuesit tanë presim nga një grup si “Funke”, – tha Bianca Pohlmann, drejtoresha e Menaxhimit të “Funke”-s e që prej vitit 2009 mbikëqyr revistën “Die Aktuelle”.

Historia e publikuar këtë javë në “Die Aktuelle” shkaktoi zhurmë në botën e medias gjermane e çoi përpara debatin rreth rreziqeve të Inteligjencës Artificiale. Faqja e parë e revistës ishte një foto e Schumacher-it me titullin bombastik: Michael Schumacher: Intervista e parë! Një nëntitull vijonte me fjalinë: Tingëllon mashtruese e vërtetë.

Brenda revistës u bë e qartë se tabloidi po shkruante për një intervistë të rreme të krijuar nga një faqe interneti që përdorte Inteligjencën Artificiale. Shumica e fansave thanë se pretendimet për një intervistë ishin tërësisht të fabrikuara, pasi Michael Schumacher ka jetuar në izolim të plotë që nga dëmtimi që mori në tru, 10 vjet më parë. Aksidenti e la me pasoja të rënda shëndetësore afatgjata dhe nuk është parë më në publik që kur ndodhi.